MC Networking

Shahini: Shkollat e Tiranës rihapen më 9 dhjetor

Procesi mësimor rifillon në data të ndryshme, në varësi të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Në një deklaratë për mediat, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, njoftoi se në Tiranë, procesi mësimor do të nisë më 9 dhjetor.  

Ndërkohë, në qarkun e Lezhës mësimi nis normalisht nga dita e nesërme. Në Kurbin, mësimi nis më 9 dhjetor.  

Shahini tha se në total, për shkak të dëmtimit të shkollave, të prekur janë 4800 nxënës.

Ndërkohë, sa u përket institucioneve arsimore private, Ministria e Arsimit ka udhëzuar pajisjen me konfirmim nga Instituti i Ndërtimit në lidhje me gjendjen e godinave.

Lidhur me shkollat në zonat më të dëmtuara, të cilat kanë dalë jashtë funksionit apo nuk garantojnë sigurinë e nxënësve deri në një inspektim përfundimtar, Shahini tha se procesi mësimor do të zhvillohet në shkolla pritëse.

Sipas ministres, me fillimin e porcesit mësimor, mësuesit kanë gati një plan emergjence për çdo rast, ndërkohë që shërbimi psiko-social do t’u ofrohet të prekurve në çdo moment.

Duke qenë se inspektimet në objekte vijojnë, Ministria e Arsimit nuk ka ende një shifër përfundimtare për shkollat e dëmtuara.

Në zonat më të prekura, Shijak dhe Durrës, disa shkolla do të shemben për t’u rindërtuar nga e para.

E pyetur për detyrimin e mësuesve për të dhënë ndihmë financiare për të prekurit nga tërmeti, Shahini tha se nuk ka dijeni. “Kemi kërkuar dhurim vullnetar”, tha ajo.   

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top