MC Networking

Situata pas tërmeteve/Rama fton Bashën për propozime në tavolinë, Basha: Qeveria të anulojë 150 milionë dollarë për oligarkët!

Kryeministri Edi Rama është shprehur në lidhje me propozimet e bëra nga lideri i opozitës Lulzim Basha në lidhje me menaxhimin e tragjedisë që prodhoi tëmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit në Shqipëri.

Në një deklaratë për median, kryeministri hoqi paralele mes veprimeve të tij dhe kryedemokratit, duke kërkuar prej këtij të fundit që propozimet të mos i bëjë në televizor apo media por t’i sjellë në tavolinën e diskutimeve.

Rama tha se socialistët dhe qeveria janë në konflikt të hapur me Presidentin Ilir Meta, por sërish kjo nuk i ka penguar që të jenë sot të pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

 “Do të ishte mirë që Lulzim Basha dhe forcat politike të mos bënin propozime si ata propozimet si reforma zgjedhore ose reforma në drejtësi. Të bëhen sugjerimet haptazi. Ne po bëjmë një garë me kohën e jo me njëri-tjetrin, një garë me emocionet e rënda që përjetojnë njerëzit, e natyrisht edhe një garë me të ardhmen, që të ngrihemi më të fortë se ishim më përpara. Basha të vijë dhe të bëjë propozimet në tavolinë.  Nëse Basha ka ide, të vijë dhe të propozojë konkretisht”, tha Rama.

“Me presidentin jemi në konflikt të hapur. Por ne jemi me të gjithë ata që duan të ndihmojnë njerëzit. Kjo sepse kjo është një tragjedi që ka prekur të gjithë njerëzit. Pavarësisht se jemi në konflikt me presidentin, ne prapë bashkëpunojmë me këdo që është me njerëzit në këto momente të vështira“-shtoi Rama.

Lideri i demokratëve i është përgjigjur kryeministrit Rama këtë të hënë, i cili i kërkoi kryeopozitarit që të vijë në tavolinë dhe t’i japë aty propozimet mbi menaxhimin e tragjedisë që solli tërmeti në Shqipëri.

Përmes një postimi në rrjetin social, Basha ka shkruar se qëndrimet e opozitës kanë qenë konstante dhe se kush ka vullnetin t’ dëgjojë ato, propozimet tashmë janë publike.

STATUSI I BASHËS:

Përgjatë këtyre ditëve të vështira, qëndrimet tona kanë qenë konstante. Ne mbështesim çdo përpjekje për të ndihmuar njerëzit e goditur, dhe ne kemi vullnetin për të ndarë idetë dhe planet tona me këdo që ka dëshirë të dëgjojë.

I bëj thirrje atyre që po e përdorin këtë kohë dhimbjesh dhe vuajtjesh për axhendën e tyre politike, ta fokusojnë energjinë dhe vëmendjen tek ata që kanë më shumë nevojë se kurrë për ndihmë!

Për këdo që ka vullnetin të dëgjojë, ky është propozimi ynë në këtë fazë të emergjencës:

1. Angazhimi dhe organizimi nga shteti i mbi 500 inxhinierëve që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar vullnetarisht, me qëllim përshpejtimin e vlerësimit të banesave.

2. Vlerësimi me urgjencë i banesave të dëmtuara dhe dëmeve të shkaktuara.

3. Qeveria, në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të anulojë me efekt të menjëhershëm rreth 150 milionë dollarë të planifikuara për t’iu dhënë 10 oligarkëve dhe këto fonde t’u akordohen mijëra familjeve në nevojë, për riparimin dhe rindërtimin e banesave të dëmtuara apo të shkatërruara.

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top