MC Networking

“Pula e skuqur si simbol i dështimit të kapitalizmit”

Për të ndryshuar botën, duhen liderë vizionarë dhe të guximshëm. Nëse Greta vë në siklet të pushtetshmit në OKB, Raj Patel e ka bërë me ese revolucionin e tij. Me disa tituj në tregun botëror, ai udhëton shpesh në të gjithë botë, si pjesëmarrës në konferenca dhe lektor në universitete. Ekonomist, profesor në Universitetin e Teksasit dhe shkrimtar me shtetësi britanike, ai është një nga ekspertët më të mirë për krizat ushqimore. Në një intervistë për “Corriere della Sera”, ai shpjegon pse njerëzimi, për të mbijetuar, duhet të ndjekë një rrugë shumë të qartë. “Ne duhet të braktisim pronarin e vetëm të ekonomive të zhvilluara, kapitalizmin, tashmë të vënë në provë nga krizat gjeopolitike, mjedisore dhe sociale në sytë e të gjithëve sot”, thotë ai, duke shtuar se, është më e lehtë për njerëzit të imagjinojnë fundin e botës sesa atë të kapitalizmit. E megjithatë, duket qartë se një sistem, objektivi i vetëm i të cilit është të maksimizojë fitimet, prodhimin dhe konsumin, nuk është në gjendje të zgjidhë sfidat e epokës sonë. Duke e nisur me ushqyerjen e një bote që së shpejti do të jetë e banuar nga dhjetë miliardë njerëz.

Kohët e fundit, jeni vlerësuar në Itali me çmim për teoritë mbi ushqimin e qëndrueshëm dhe demokratik (me çmimin e Bolonjës): të gjithë kanë të drejtë të hanë shëndetshëm. Si ta arrini qëllimin në një shoqëri me pabarazi kaq të thella?

"Padyshim që nuk është mungesa e ushqimit arsyeja pse dy miliardë njerëz nuk ushqehen siç duhet dhe 821 milionë të tjerë vuajnë nga uria. "Uria" është zgjedhje politike. Është zvogëlim subvencionesh dhe zgjedhje për të mos liberalizuar qiratë, në mënyrë që klasës punëtore t’i duhet të zgjedhë mes të ushqyerit dhe të pasurit një shtëpi. Do të jetë zgjedhje politike t’ë ngarkohen vendet e botës me borxhe që qeveritë nuk mund t’i paguajnë kurrë, duke i lidhur pashmangshmërisht ekonomitë e tyre me eksportet. Dhe do të jetë vetëm një zgjedhje politike vendimi për t’u ulur në një tryezë dhe për të menduar se si t'i ndalojmë këto padrejtësi.

Në librin tuaj të fundit, ju identifikoni një simbol të këtij sistemi të gabuar ushqimor: pulën e skuqur të fast food-eve. Një ushqim që përmbledh, sipas jush, mënyrën se si prodhohet dhe konsumohet, "mashtrimin e kapitalizmit". Çfarë do të thotë kjo?

Kapitalizmi është një sistem që nuk paguan faturat e tij. Unë e përdor këtë shembull për të treguar se është e pamundur të të vihet përpara një ushqim i tillë, i lirë, me pak vlera ushqyese dhe që vjen nga një zinxhir furnizimi shumë i industrializuar, pa e shkatërruar natyrën, pa shfrytëzuar kafshët, punëtorët dhe familjet e tyre dhe pa i çuar fitimet në xhepat e atyre që ne i dimë.

Por nëse zgjedh të mos ha në fast food, mund të rri jashtë këtij rrethi vicioz?

Është e lehtë të kuptohet se si ushqimet e përpunuara dhe të paketuara mund të bëhen emblema e një sistemi të gabuar. Megjithatë, thjesht mendoni se fermerët, përveç që janë ndër punëtorët më pak të paguar në botë, janë gjithashtu më të ekspozuarit ndaj këtij mashtrimi. Një studim tronditës tregon se fëmijët e mbledhësve të luleshtrydheve në Kaliforni kanë koeficient inteligjence 7 pikë më të ulët se mesatarja, sepse nënat e tyre ekspozohen ndaj pesticideve. Ne i kemi dëmtuar këta punëtorë brez pas brezi, dhe cili është rezultati tani? Që luleshtrydhet të jenë të kuqe dhe të përsosura, gjeometrikisht të rregullta, të gatshme për t’u blerë dhe ngrënë.

Por nëse kapitalizmi nuk funksionon më, dhe për këtë arsye as ideja për të maksimizuar konsumin dhe fitimet, cila është alternativa?

Në Shtetet e Bashkuara dhe në pjesë të tjera të botës po lind një marrëveshje e re , Green Neë Deal. Emri evokon politikën e Ruzveltit dhe, ashtu si paraardhësi i tij, kjo lëvizje synon të përqendrohet në një ekonomi të drejtuar nga punëtorët, për të përmbysur lojën e forcave që na sollën në katastrofën e klimës. Pa një transformim të këtij lloji, në një shkallë shumë të madhe, është e vështirë të imagjinohet një jetë dinjitoze për shumicën e njerëzimit në shekujt e ardhshëm.

Por a nuk është bujqësia një nga të dyshuarit kryesorë në katastrofën e klimës?

Bujqësia është njëkohësisht një ekzekutues dhe viktimë e emetimeve të larta të gazrave serë por, duke e parë më thellë, është e qartë se ata që i shkaktojnë këto emisione dhe ata që vuajnë prej tyre nuk janë të njëjtë. Kultivimi dhe mbarështimi industrial janë përgjegjës për atë që unë e quaj "shfarosja e gjashtë". Kanë shpyllëzuar sipërfaqe të tëra për të pasur më shumë fusha për kultivim, kanë shkatërruar tokën dhe kanë shtuar përdorimin e pesticideve, herbicideve dhe fertilizuesve. Ata që vuajnë nga ndryshimi i klimës janë prodhuesit e vegjël. Pra, nga njëra anë, është kaq e thjeshtë t’i shtysh njerëzit që të përqafojnë dietën mesdhetare, nga ana tjetër është e nevojshme të kemi një strategji që të përfshijë të gjithë aktorët në sektor, me një qasje individuale nuk do ta arrijmë kurrë qëllimin: të ndryshojmë sistemin ekonomik.

Kush janë drejtuesit që mund ta udhëheqin transformimin sot?

Marrëveshja e parë e Re lindi në një epokë në të cilën kapitalizmi kishte dështuar, dhe diktaturat po fitonin terren në pjesë të ndryshme të botës. Jam shumë i shqetësuar, gjithashtu edhe në dritën e tërheqjes së SHBA-ve nga Marrëveshja e Parisit, për një rizgjedhje të ardhshme të Trump. Dhe unë jam po aq i shqetësuar për drejtimin në të cilin shkon India e kryeministrit Modi apo Brazili i qeverisur nga Bolsonaro. Por një gjeneratë e re, po përmend këtu Greta Thunberg ose Alexandra Ocasio-Cortez, është e gatshme të vazhdojë transformimin. Sigurisht, “garda e vjetër” nuk do të largohet kaq lehtë.

Cila është emergjencë më e madhe? Ndryshimi i klimës apo migrimi?

Ndryshimi i klimës nuk është thjesht “mot i keq", por një seri mekanizmash sociale që janë shembur dhe kanë bërë vulnerabël një numër gjithnjë e më të madh njerëzish. Stuhitë shndërrohen në katastrofa për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe njerëzit lëvizin sepse strukturat janë përkeqësuar aq shumë, sa që janë të gatshëm të largohen nga shtëpitë e tyre për të kërkuar një më të mirë diku tjetër. Pra, dy dukuritë, pjesërisht, janë të lidhura me njëra-tjetrën. Por, sa kohë do të jetë në gjendje Veriu i botës të pranojë ata që kanë fajin e vetëm se janë viktima të përdorimit joproporcional të energjisë fosile?

A do të mbijetojë njerëzimi në një botë të banuar, në tridhjetë vitet e ardhshme, nga dhjetë miliardë njerëz?

Është e thjeshtë të imagjinosh një botë, ku dhjetë miliardë njerëz konsumojnë në mënyrë të moderuar, punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe kujdesen për njëri-tjetrin. Pyetja që duhet të shtrojmë është: pse është kaq e vështirë të mendosh si ta vësh në zbatim këtë?

/ Corriere della Sera / 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top