MC Networking

Shorti për KED-në, dy standarde për përzgjedhjen e anëtarëve (VIDEO)

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pritet të hedhë shortin për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nga data 1-5 dhjetor. Të gjitha institucionet e drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor kanë përcjellë emrat e kandidatëve për të qenë anëtarë të KED-së, ashtu sikurse edhe Gjykata Kushtetuese, e cila ka të drejtë që në këtë Këshill të ketë dy përfaqësues të saj. Nga listat e kanidatëve për të qenë anëtarë në KED, KLP ka përcjellë nga Prokuoria e Përgjithshme 11 kandidatë, mes tyre edhe Arta Markun, e cila garon sërish për të qenë në krye të organit të akuzës, e renditur e dyta pas Olsian Çelës. Ndërkohë që anëtari tjetër në KED, nga radhët e prokurorëve pritet të plotësohet nga prokuoritë e Apelit me 16 kandidatë për t’u përzgjedhur me short.

Ashtu sikurse KLP, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përcjellë emrat për shortin e KED-së, teksa shumë prej tyre janë skualifikuar nga gara për shkak të shkarkimeve nga procesi i vetingut, ashtu sikurse edhe nisjen e procedimeve penale ndaj tyre. KLGJ ka të drejtë të ketë në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, 6 anëtarë: dy nga Gjykata Kushtetuese, një nga Gjykata e Lartë, dy gjyqtarë nga Gjykatat e Apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Por ajo që të bie në sy është fakti qëe Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përjashtuar nga gara për anëtar në KED, disa gjyqtar për shkak të nisjes së procedimit penal ndaj tyre.

Edhe pse ato plotësojnë eksperiencën, procedimet  e hapura për ta i kanë skualifikuar. Por ndryshe nga KLGJ, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka preferuar ta mbajë në garë prokuoren e përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, edhe pse ndaj saj ka dy hetime të hapura në Prokurorinë e Tiranës, për shpërdorim detyre për rastin e anëtarit  të KLP-së, Bujar Sheshi dhe padinë e PD-së për rastin në fjalë. Edhe pse organi i akuzës së Tiranës kërkon pushimin e çështjes mes Autoritetit të Dosjeve dhe anëtarit të KLP-së, Bujar Sheshi, ku po hetohet Marku për shpërdorim detyre, Gjykata ende nuk ka marrë një vendim për pushimin e çështjes, në një kohë që vijojnë hetimet për padinë e opozitës. 

 

 

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top