MC Networking

Nis vaksinimi ndaj gripit për të moshuarit dhe kategoritë e rrezikuara

Nis vaksinimi kundër gripit për kategoritë e rrezikuara, për të parandaluar komplikacionet e gripit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar se në dispozicion të grupeve më të rrezikuara janë 138 mijë vaksina kundër gripit falas.

Vaksinat janë të dedikuara për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullatës, duke përfshirë për herë të parë edhe fëmijët në moshën 2 deri 5 vjeç. Grupet e tjera të rrezikuara që mund të kryejnë vaksinat falas janë gratë shtatzëna, personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike si diabet, sëmundje kronike obstruktive pulmonare, sëmundje kronike të zemrës, veshkave, mëlçisë si dhe persona obezë apo me imunodeficiencë të të gjitha moshave.

Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, janë të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Vaksinimi do të kryhet falas në çdo qendër shëndetësore dhe sipas specialistëve, është koha më e mirë për të bërë vaksinën tashmë që ende nuk ka qarkullim të virusit të gripit në vendin tonë.

Manastirliu u shpreh se një tjetër investim i rëndësishëm me fondet e buxhetit të shtetit për ruajtjen dhe sigurinë e vaksinave është edhe pajisja e 50 qendrave shëndetësore në vend me frigoriferë të rinj, të certifikuar, sipas standardeve, me qëllim rritjen e sigurisë së vaksinave të parakualifikuara dhe forcimit të zinxhirit ftohës, që përbën një hallkë të rëndësishme për ruajtjen dhe plotësimin me efektshmëri të procesit të vaksinimit.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top