MC Networking

Pasaporta jugosllave e Peter Handkes, Austria nis verifikimet për shtetësinë e fituesit të Nobelit (VIDEO)

Fituesi i Nobelit të Letërsisë për këtë vit, Peter Handke, rikthehet sërish në qendër të vëmendjes mediatike, pas një shkrimi të “The Intercept”, që ka zbuluar se shkrimtari ka një pasaportë të asaj që ka qenë Jugosllavia e dikurshme. Handke e ka marrë pasaportën jugosllave më 15 qershor 1999, në ambasadën e Jugosllavisë në Vjenë (në vitin 1999, nga Jugosllavia e dikurshme kishte mbetur vetëm Serbia dhe Mali i Zi).

Sipas ligjit të atëhershëm, pasaportat u jepeshin vetëm shtetsave jugosllavë. Por nga të dhënat e pasaportës është e pamundur të mësosh nëse bashkë me të, Handke ka marrë edhe shtetësinë përkrah asaj austriake, pavarësisht se në faqet e pasaportës shkruhet jugosllave në ndarjen e nënshtetësisë.

Handke e ka marrë pasaportën e re vetëm disa ditë pasi në Serbi përfundoi bombardimi 78-ditor i NATO-s, për largimin e ushtrisë së Millosheviçit nga Kosova. Më 9 qershor, kur përfundoi zyrtarisht bombardimi, ishte dita që Handke hapi në Vjenë fushatën e tij të kritikave për gjykimet për krime lufte lufte që po u bëheshin serbëve, përfshirë edhe vetë Millosheviçin më vonë. Kjo ishte një peridhë shumë polarizuese për Peter Handke, pasi ndërsa pikëpamjet e tij pro-serbe ishin të njohura në atë kohë, po shpalosej një kapitull i jetës së tij që nuk është bërë publike deri tani.   

Vetë Handke ka reaguar menjëherë pas shkrimit të “The Intercept”, duke pranuar se e ka marrë një pasaportë të tillë, por vetëm për qëllime udhëtimi. Në një deklaratë për mediat në Beograd, Handke është shprehur se nuk ka nënshtetësi jugosllave.

Posedimi i një pasaporte të tillë e bën Handken që të humbasë automatikisht shtetësinë austriake.

Sipas të përditshmes vjeneze "Österreich", pasi mori informacionin se Handke është pajisur me pasaportë jugosllave në vitin 1999, Ministria e Punëve të Brendshme Austriake ka filluar një hetim.

"Kushdo që fiton vullnetarisht shtetësinë e huaj, humbet shtetësinë austriake. Për të mos humbur shtetësinë austriake, është e nevojshme të aplikoni për leje me shkrim para se të merrni një pasaportë tjetër dhe të merrni miratimin", sqaroi Ministria e Punëve të Brendshme Austriake.

Kjo e fundit po verifikon nëse Handke e ka kërkuar një aprovim të tillë, por, siç shton "Österreich", një gjë e tillë nuk ka gjasa të ketë ndodhur. / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top