MC Networking

Joker dhe pushtimi i Bastijës

Alessia Principe

Hiq xhaketën, vendos maskën para pasqyrës plot dritë. Përpara humnera, pas barra që i është vënë për ta bërë të mbajë kokën ulur.

Lind kështu Joker i Todd Phillips, lind nga hiri i të mundurve. Një burrë që nuk pranon t’ua fshehë më problemet mendore normalëve që enden nëpër qytet. Lind në të qeshurën e tij, e cila nuk është gëzim por një çrregullim i dhimbshëm.

Lufta në kushte të barabarta me Nolan dukej çmenduri. Por çmenduria ishte pika e fortë mbi të cilën Joaquin Phoenix dhe Phillips ndërtuan një vepër magnetike të shoqëruar nga Frank Sinatra - "The Voice". "Kjo është jeta" bëhet manifesti i filmit për fabulën e tij të trishtuar.

"Disa njerëz shkelin mbi ëndrrat e tua, por unë nuk do ta lejoj këtë, nuk do të pranoj që kjo gjë të më rrëzojë përsa kohë kjo botë e bukur të vijojë të rrotullohet".

Bota e Jokerit rrotullohet në ingranazhe të ndryshkura që nuk çojnë dritë në katet e poshtme të qytetit, ku gjallojnë minjtë gjigantë, harresa, pluhuri dhe errësira e thellë. Nga ky mjedis ngrihet Joker. Ai ngrihet nga padrejtësia që iu bë për t’u bërë ai një e tillë akoma më e madhe. E keqja më e madhe largon të keqen më të vogël. Dhe e keqja bëhet e mirë.

Në filmin e Todd, tavolina e lojës përmbyset. Dhe regjisori ia del të kthejë letrat, për të treguar ngjyrën tjetër, anën tjetër të medaljes. Të mirët bëhen muri i gomës, të privilegjuarit që nuk i ndyejnë duart dhe ujisin degradimin deri sa ta shohin të hedhë rrënjë e të ngrihet lart.

Joker përparon kështu drejt Bastijës së tij në Gotham City. Kërcen me Charlie Chaplin. Fisnikëria, e mbledhur në kinema për "Kohët moderne", shkrihet në të qeshura, pa pasur sy për mesazhin e njeriut të shtypur nga pesha e një shoqërie që e bën të çmendur. Ai qesh, ndërsa qyteti zien nga zemërimi. Në këmbët e kllounit është populli, i cili kërkon të merret në konsideratë, i gatshëm për të prerë kokat e të drejtëve e të padrejtëve. Anti-heroi kthehet në hero dekadent, i njollosur, i shëmtuar, i ndyrë dhe i lig, por gjithmonë mbetet lider. "Në çdo luftë, heronjtë janë nga të dy palët", thotë Zhāng Yìmóu.

Joker niset nga një formë elementare e drejtësisë. Mirësi e paguar me mirësi, indiferencë që paguhet me vdekje. Nuk ka të ndërmjetme, nuk ka më nuanca.

Joaquin Phoenix nuk luan Joker, ai është Joker. Është aq madhështor sa nuk e zë ekrani. Duke hyrë në rol, pyes veten se si doli prej tij, nëse ka mundur ta heqë plotësisht prej vetes, është ai zëri i brendshëm, i vuajturi, që e donte këtë xhevahir të dëshpërimit më të zi, i cili e shndërron tragjedinë në një komedi më tragjike, për të cilën, ai nuk pranon të qeshë kur qeshin të tjerët, por vetëm në pauzat e saj.

Në kast nuk mund të mos bjerë në sy Robert De Niro. Prania e tij duket pothuajse një homazh shpirtin e “Taksistit” që rri pezull mbi kokën e Joker-it.

Filmi është hakmarrja në gjakun e humbësve, të të larguarve, të cilët thyejnë kufijtë e marrin hak. Kllouni kthehet në simbolin e çrregullimit: sikleti i natyrshëm që të lind kur vëzhgon diçka të njohur, por shqetësuese në të njëjtën kohë, si një klloun.

Joker, në fund të fundit, bazohet në frikërat tona më të hershme, ato që banojnë në pjesën tonë më parahistorike. Ai sillet në mënyrë të paparashikueshme, duron, toleron gjithçka, duket se ka hequr dorë dhe krejt papritur qëllon. Ai nuk njeh pendesë, por shpreson ta ketë, por në vend të kësaj mban me vete një peshë të rëndë për të cilën e di kë të fajësojë. Nuk rikthehet lumturia, por buzëqeshja është prapë aty. / Huffington Post / Përktheu: Gazmira Sokoli / 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top