MC Networking

Delegacioni i Venecias: Më 11 tetor do japim konkluzionet (VIDEO)

Sapo ka përfunduar takimi i Komisionit të Venecias me anëtarët e Komisonit Hetimor për çështjen e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta.

Delegacioni i Venecias ka deklaruar se më datë 11 tetor do të japë opinionin përfundimtar për këtë çështje.

Kaarlo Tuori, drejtues i delegacionit të Komisionit të Venecias deklaroi në përfundim të takimit me anëtarët e Komisionit Hetimor se tashmë e kanë një ide nëse Presidenti e ka shkelur Kushtetutën, dhe në 11 tetor do të dalin me raportin përfundimtar.

"E kemi një ide të qartë, nëse e ka shkelur Presidenti Kushtetutën. Të gjitha takimet kanë qenë produktive, pasi morëm një informacion për të krijuar opinionin që do të dalë në 11 Tetor", tha ai.

Ndërsa kreu i Komisionit Hetimor, Ulsi Manja tha pas takimit se, “me delegacionin e Komisionit të Venecias në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe objektivitetin e trajtimit të kësaj çështje nga ana e Komisionit Hetimor të ngritur me vendimin nr.84/2109 të Kuvendit të Shqipërisë.

“Ndamë pikëpamjen që Komisioni Hetimor dhe Komisioni i Venecias do ta trajtojnë këtë rast në aspektin ligjor duke u nisur nga parimet dhe standardet më të larta profesionale dhe kushtetuese dhe me objektivitet maksimal , me qëllim vendosjen e një tradite juridike parlamentare të parin në llojin vet për Shqipërinë”, tha Manja.

Ekspertët e Komisionit të Venecias po zhvillojnë një takim edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Ekspertët e Komisionit të Venecias dëgjojnë sot argumentet e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit

Komisioni i Venecias për çështjen e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta do të zhvillojë sot dy takimet e fundit. Fillimisht në orët e paraditës, delegacioni do të zhvillojë një takim me anëtarët e Komisionit të Posaçëm Hetimor, ndërsa më pas do të zhvillojë edhe një takim me Shoqërinë Civile.

Delegacioni i Komisionit të Venecias në Tiranë, përbëhet nga Kaarlo Tuori-Drejtues i delegacionit, Grainne Mcmorrow- Juriste ndërkombëtare, Schnutz Rudolf Dürr- Kreu i divizionit për Çështjet Kushtetuese dhe Thomas Markert- Sekretar i Komisionit

Dita e djeshme ishte më e ngjeshura për ekspertët, pasi e nisën me përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashin dhe Klajda Gjoshën. Më pas delegacioni i këtij komisioni takoi Presidentin Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e grupit të PS-së, kreun e qeverisë Edi Rama, ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj.

Presidenti Meta arsyetoi para Komisionit Hetimor se i anuloi zgjedhjet pasi kishte informacione se Kuvendi do të digjej më 8 qershor. Një arsye tjetër e tij ishte edhe se shqiptarët nuk kishin të drejtën e zgjedhjeve pasi kishte vetëm nga një kandidat në garë.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top