MC Networking

Një armë e re për të neutralizuar virusin HIV (VIDEO)

Një ekip shkencëtarësh të kombësive të ndryshme ka bërë një zbulim befasues, i cili mund t’u ndryshojë jetën dhjetëra miliona njerëzve. Ata aksidentalisht kanë identifikuar një mekanizëm për të neutralizuar virusin HIV. Ekipi i shkencëtarëve rusë, zviceranë, britanikë, amerikanë dhe finlandezë po zhvillonte një kurë për të trajtuar kancerin, kur kuptoi se impakti i mekanizmit të ilaçeve ishte shumë më i madh sesa pritej.

Në një njoftim për shtyp nga Universiteti Shtetëror i Uraleve të Jugut (SUSU) thuhet se zbulimi mund të hapë rrugën për një gamë krejt të re të ilaçeve antivirale që mund të përdoren për shumë sëmundje.

"Rëndësia e rezultateve qëndron te fakti se të njëjtat ilaçe mund të përdoren për lloje të ndryshme të sëmundjeve (kancer, HIV, etj.)", thotë Oleg Rakitin, doktor i kimisë dhe profesor në SUSU.

Mekanizmi që neutralizon HIV-in në thelb e merr atomin e zinkut nga molekulat e virusit HIV, duke i çaktivizuar kështu ato dhe duke e dobësuar virusin.

Gjatë hulumtimit, ekipi zbuloi ilaçe me potencial të fuqishëm antiviral, por që nuk "helmojnë" qelizat e zakonshme, të shëndetshme, çka i zvogëlon efektet anësore me të cilat përballen shumë pacientë që trajtohen me ilaçe të fuqishme antivirale.

Virusi HIV është një gjendje degjenerative autoimune që i bën pacientët të prekshëm nga infeksionet dhe sëmundje të tjera, duke ulur në mënyrë drastike jetëgjatësinë.

Në vitin 2018, në të gjithë botën kishte 37.9 milionë njerëz që jetonin me SIDA. Rreth 23.3 milionë prej tyre trajtoheshin me terapi antiretrovirale.

Shkalla e infektimit me HIV është ulur me 40 për qind që nga kulmi që pati në vitin 1997.

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top