MC Networking

Pesë të rinj nga Kosova, heronjtë e momentit në Venecia

Pesë shqiptarë të Kosovës janë heronjtë e momentit në Venecia. Pas një tragjedie ku humbën jetën pesë të rinj në Jesolo, presidenti i rajonit,Luca Zaia, i ka ftuar ata në një ceremoni falenderimi. Siç raporton Corriere della Sera, pesë kosovarë janë gjendur në momentin që një makinë me katër të rinj 22-vjeçarë në bord ka dalë nga rruga në Musile di Piave dhe ka përfunduar në kanal.

Laurat Hoti, 30 vjeç dhe Florim Bytyçi, 38 vjeç, me banim në Mestre janë hedhur në ujë për të shpëtuar të rinjtë, ndërsa  Lulzim Bytyçi, Ilir Lekaj, Burim Kuci përpiqeshin t’i ndihmonin nga bregu.

Megjithatë, pavarësishtë përpjekjeve, ata nuk ia kanë dalë dot t’u shpëtojnë jetën të rinjve Riccardo Laugeni, Leonardo Girardi, Eleonora Frasson dhe Giovanni Mattiuzzo. Ata u përcollën me një funeral në të cilin morën pjesë rreth 4 mijë vetë, ditën e enjte.

Kushdo do të kishte bërë të njëjtën gjë. Në atë moment nuk mendon gjatë, thjesht hidhesh. Ne shpresonim t’i shpëtonim”, thonë Laurat Hoti e Florim Bytyçi, të cilët nxorën trupat e pajtë të Eleonorës, Giovanni-t e Leonardo-s.

Edhe pse të huaj, fjala me të cilën përshkruhen është heronj. Ndërsa “i huaji” përgjegjës për aksidentin është 27-vjeçari rumun Marius Alin Marinica, i cili ka përplasur me mjetin e tij, “Fordin” me të cilin udhëtonin pesë të rinjtë.

Të mbledhur për të festuar ardhjen nga Suedia të njërit prej tyre, ata kanë rastisur në aksidentin fatal dhe janë përpjekur të bëjnë të pamundurën për t’i shpëtuar. E megjithatë, pas ngjarjes janë përpjekur t’i shpëtojnë vëmendjes së mediave, deri në momentin që babai i njërës prej viktimave ka kërkuar të njihej me njerëzit që dëgjuan fjalët e fundit të së bijës.

Laurati sapo ka hyrë në të 30-at, ka një fëmijë 8 muajsh. Ka fytyrën dhe duart e një punëtori, që ndoshta, i kanë dhuruar një pjekuri tjetër nga ajo e shumë bashkëmoshatarëve. Është restaurues në Venecia”, e përshkruan Corriere njërin prej të rinjve kosovarë.

Ajo që lexon në sytë e tyre është një ndjesi e thellë përuljeje. “Cilido prej nesh do të kishte bërë të njëjtën gjë. Është instinkt, unë mendova siç do të mendoja për fëmijën tim, edhe pse është i vogël. Na u desh pak kohë të hapnim dyert me forcë, pastaj duke kërkuar me duar i gjetëm të gjithë. Asnjëri nuk lëvizte”. Ata janë të kursyer para mikrofonëve që i ndjekin, rrinë të gjithë bashkë e flasin pak mes një numri të madh njerëzish që nuk ua kursejnë falënderimet”, përfundon shkrimi në Corriere della Sera. / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

 

 

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top