MC Networking

Gjinushi përgënjeshtron Fugën dhe ish-ministren Nikolla (VIDEO)

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi ka reaguar ndaj akuzave të një dite më parë të akademikut të shkencave Artan Fuga. Ndryshe nga sa deklaroi një ditë më parë Artan Fuga dhe ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla se grupi i Akademisë së Shkencave nuk pranoi platformën e Fugës, Gjinushi jep versionin e tij.

Skënder Gjinushi: Nuk ka ekzistuar asnjë platformë Fuga deri në shtator 2018. Është pretenduar një e tillë, është shqyrtuar nga këshilltarët e kryeministrit, ishte një nulitet dhe është tërhequr nga vetë autori. Dhe meqenëse lexojnë letra mbi letra në mënyrë mashtruese, atëherë pikërisht ajo letër që është lexuar dje ishte përgjigjja që i jepej ministres që: këtu nuk është depozituar asnjë platformë. Siç gënjente ministrja.

Gjinushi pretendon të kundërtën. Madje, ai thotë se drafti që është bërë nga grupi i punës që kryesohet nga ai ka marrë pëlqimin e ALEA-s, Bashkimi i Akademive të Europës.

Skënder Gjinushi: Platformat të tëra janë marrë në konsideratë, deri pastaj që është marrë në konsideratë edhe vërejtjet edhe sugjerimet e ALEA-s që është Bashkimi i Akademive Europiane. Dhe pastaj me certifikimin që iu bë reformës nga ALEA duhej të ishte mbyllur dhe çdolloj debati.

Sipas Gjinushit Drafti i Frupit të Punës me atë të Fugës nuk ka asnjë ndryshim tjetër përveç një dispozite që sipas tij kërkon që Akademia të kapet nga çdo mazhorancë që vjen.

Skënder Gjinushi: Ndarja ëshët vetëm këtu: Ne nuk jemi për këto lloj ritheleish. Që e thënë ndryshe do të thotë, që sa herë ndërron mazhoranca politike, rithemelojmë Akademinë dhe akademikët e rinj i zgjedh mazhoranca e momentit.

Kryetari i Akademisë së Shkencave e quan qesharake akuzën e Artan Fugës për abuzim financiar në Akademinë e Shkencave.

Skënder Gjinushi: Kjo është një paturpësi e dytë dhe shumë e madhe. Dhe nuk është hapur ndonjë procedurë, as hetimore, as administrative, ku dikush dhe gjithkush vjen edhe të thotë ça di ai, apo ça akuzon apo shpif ai. Dhe këto lloj t’i mbajnë për vete. Fuga dje kush është pas tij. Sepse është ai që ka punuar dhjetë vjet këtu.Dhe në qoftë se flet për abuzivizëm dhe ka heshtur dhjetë vjet le ta gjejë. Këtu edhe mendjet djallëzore nuk e marrin përsipër ta bëjnë këtë paturpësi. Prandaj të kenë shumë kujdes, se po i kalojnë caqet e debatit.

Ndërkohë ai ngre një kundërakuzë që lidhet me shitjen e doktoraturave.

Skënder Gjinushi: Nga një anë bërtasin për rol sa më të madh, flitet, të Akademisë së Shkencave, pastaj sapo vjen që thuhet: Akademia e Shkencave duhet të japë vlerësime për nivelin e kërkimit shkencor, duhet të japë vlerësim për formimin e nivelit të shkencëtarëve të rinj, për nivelin e doktoraturave, kërcyen përpjetë disa dhe i quajtën shkelje të autonomisë së shkollës së lartë. Pra, doli lepuri i dytë këtu, frika që të mos ketë kontroll mbi cilësinë e doktoraturave. Dhe autonomia nuk është që je i pavarur për të abuzuar, i pavarur për të mashtruar, i pavarur për të shitur doktoratura. Nuk është kjo pavarësia.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top