MC Networking

Financime ruse për Legën e Salvinit, nisin hetimet në Itali

Në Itali është hapur një hetim lidhur me akuzat për financimin e partisë së zv.kryeministrit Matteo Salvini nga Rusia. Vendimi vjen pas një transkripti të publikuar nga BuzzFeed News, sipas të cilit ka pasur një takim mes disa zyrtarëve rusë dhe Gianluca Savoini-t, një njeri i afërt i zv.kryeministrit Matteo Salvini.

Takimi mendohet se është zhvilluar në hotel “Metropol” në tetor 2018, por vetë Savoini e ka mohuar një takim të tillë.

BuzzFeed raporton se Savoini dhe dy italianë të tjerë kanë diskutuar me tre rusë të paidentifikuar se si t'i kanalizojnë paratë nga një marrëveshje në arkën e partisë së Salvinit, Lega.

Megjithatë, Buzzfeed vë në dukje se nuk është sqaruar kurrë plotësisht nëse marrëveshja është vënë në zbatim dhe Lega vërtet ka marrë fonde.

Në një prononim për Euronews, vetë Salvini ka thënë se "kurrë nuk ka pasur një takim të tillë", duke shtuar se ai ka qenë në hotelin “Metropol” për t'u takuar me sipërmarrësit lokalë. Ministri i Brendshëm i Italisë ka thënë gjithashtu se avokatët e tij janë gati të ngrenë padi kundër atyre që po përhapin akuza të tilla.

Salvini gjithashtu i ka mohuar akuzat se partia e tij ka marrë para nga Rusia.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që flitet për një takim sekret mes investitorëve rusë dhe ndihmësve të ngushtë të Salvinit në hotelin “Metropol”. Në shkurt të këtij viti, gazeta italiane “L'Espresso” e ngriti një akuzë të tillë, por nuk arriti të siguronte prova të mjaftueshme për t'i provuar ato.

Sipas “L’Espresso”-s, marrëveshja përfshinte një kompani ruse që do t’i shiste një sasi të madhe karburanti kompanisë italiane të naftës Eni përgjatë një viti dhe Lega do të bëhej pjesë e shitjes. 

Qëllimi i gjithë marrëveshjes, sipas gazetës, ka qenë financimi i partisë populiste të Salvinit, për të fituar në zgjedhjet europiane që u mbajtën në fund të majit.

/ Përgatiti: Gazmira Sokoli /

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top