MC Networking

Emancipimi i femrës në diktaturë, një mit i rremë (VIDEO)

Jeta nën regjimin komunist ka qenë një luftë për mbijetesë, sidomos për femrat. Historiania australiane, Shannon Woodcock, në librin e saj, “Jeta është luftë: Mbijetesa në diktaturën komuniste shqiptare” mbledh historitë e gjashtë indidvidëve, të cilët kanë jetuar nën shtypjen e sistemit komunist gjatë viteve 1944-1991. Libri i botuar në shqip sjell nëpërmjet rrëfimeve të 6 personazheve, një pasqyrë të qartë të mekanizmave me të cilët shteti kontrollonte çdo aspekt të jetës.

Në mënyrë të veçantë, historitë e rrëfyera në libër sfidojnë një prej miteve të ngritura gjatë regjimit komunist: emancipimi i gruas. Autorja e sheh këtë si një filozofi të rreme, me anë të së cilës regjimi drejtonte jetën e tyre.    

“Kur ndodhi ajo që u quajt emancipimi i gruas, nga gratë priteshin dy role: të punonin në shtëpi dhe të punonin për shtetin. Kur gratë arrinin në universitet, shteti mbante feminizimin e profesioneve. Gratë detyroheshin të zgjidhnin mësuesinë apo infermierinë, dhe nëse donin të bëheshin doktoresha ishte më e vështirë. Gratë drejtoheshin në një drejtim të caktuar, te punët më të vështira dhe me më pak pushtet. Nuk pamë rritje të barabartë të grave inxhiniere dhe mjeke dhe kjo jo sepse ato nuk donin, por sepse shteti, kryesisht meshkujt, në komunizëm, siç ndodh tani, kontrollonin ku drejtoheshin gratë”.

Por ky kontroll shkonte shumë përtej sferës profesionale, pasi regjimi kontrollonte edhe jetën personale dhe familjen. Në libër përshkruhen përvojat e grave që abortonin në mënyrë të paligjshme, shpesh herë duke rrezikuar edhe jetën, apo puna e rëndë me detyrim dhe shërbimi ushtarak edhe në muajt e fundit të shtatzënisë, por edhe dhuna, torturat e përdhunimet në burgjet e regjimit.   

E specializuar në shoqëritë e dhunshme, Woodcock ka dhënë leksione historie në universitetin e Elbasanit dhe atë të Tiranës. Ajo vlerëson se edhe në librat e historisë, kontributi i femrës nuk është pasqyruar siç duhet.

“Sigurisht nëse jeton në Shqipëri, të gjithë dinë për gratë, por ato nuk janë në librat e historisë. Nëse kemi një libër të historisë së politikës, ku janë gratë? Nuk e kam kuptuar këtë. Sepse gjatë jetës time kam dëgjuar shumë histori për gratë, si e siguronin ushqimin, si kanë mbijetuar në burgje. Gratë përbëjnë gjysmën e librit tim, njësoj si në jetë”.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top