MC Networking

Mogherini “fajtore” për mossuksesin e bisedimeve Kosovë-Serbi?

Gazeta serbe “Blic” ka publikuar sot një analizë të zgjeruar lidhur me procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi, dhe faktin se përfaqësuesja e lartë e BE, Federika Mogherini, ka gabimet e veta në këtë proces.

Sipas analizës së gazetares Lana Gedosheviç, nga "Blic", edhe pse kanë mbetur pak ditë deri në përfundimin e mandatit të përbërjes aktuale të BE-së, megjithatë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka mbetur në vend, duke bërë që të gjithë të fillojnë të kërkojnë përgjegjësit për dështim.

Siç duket, shtiza mund të thyhet në vetë shefen aktuale të BE-së, Federika Mogherini, drejt së cilës hidhen akuza, nga disa fshehurazi, e nga disa hapur, se ajo është në mesin e atyre të cilët kanë kontribuuar që dialogu të përfundojë në “qorrsokak”.

"Blic", shkruan se ashtu mendojnë edhe Gjermania dhe Franca, meqë Mogherini nuk ka qenë e ftuar në Samitin e Berlinit nga kancerlarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emanuel Makron, por aty ajo ishte si zëvendësim i presidentit Zhan Klod Junker, i cili nuk mund të merrte pjesë në samit.

Po për çfarë e akuzojnë kritikët Federika Mogherinin, kur është fjala për dialogun, i cili është në ngërç prej 8 nëntorit 2018, kur edhe është mbajtur takimi i fundit mes përfaqësuesve serbë dhe shqiptarë, Vuçiç dhe Thaçi, në Bruksel. Përgjigjja sipas "Blic" është e shkurtër, por e komplikuar: shkëmbimi i territoreve. Fjala është për modelin e zgjidhjes së problemit të Kosovës, i cili në një moment dukej sikur ishte si propozim, i cili kishte pëlqimin nga të dy anët.

Pikërisht fakti që Mogherini fillimisht fshehurazi, e më vonë hapur, e pati përkrahur idenë e shkëmbimit të territoreve, është njëra nga çështjet esenciale, për të cilat akuzohet ajo, thotë “Blic”.  

Për shkak se mandatit të saj po i vjen fundi, mediat e huaja dhe ato vendore, kanë shkruar se Mogherini është e gatshme për arritje të çfarëdo lloj marrëveshjeje, vetëm e vetëm që në CV e saj të regjistrohet suksesi i zgjidhjes së problemit të Kosovës. Nxitimi dhe suksesi për marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, shihet si një nxitje e fortë për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës së saj, shkruan "Blic".

Përderisa ka qenë e akuzuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj (njëri nga kundërshtarët e ashpër të ndërrimit të kufijve), se ka devijuar dialogun; nëse asgjë tjetër, shefja aktulale e politikave të jashtme të BE-së, ka arritur të marrë “mosmiratim të heshtur” nga Berlini dhe Parisi, të cilët pas samitit të Berlinit, vendosën që problemin e dialogut ta marrin në duart e veta, ndërkohë që ekipin e diplomatëve të udhëhequr nga Mogherini, ta spostojnë në stol.   

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top