MC Networking

Tre krerët e shtetit jashtë vendit, protokolli e ndalon/ Vendi në dorë të zv.kryeministrit

Sipas portokollit të shtetit shqiptar, parashikohet që të paktën një nga tre krerët e shtetit duhet të jetë në vend dhe jo që njëkohësisht Presidenti, kreu i Kuvendit dhe Kryeministri, të largohen në të njejtën kohë me detyra jashtë vendit.

Megjithatë, e hëna e sotme e gjeti vendin pa krerët kryesorë të shtetit, të cilët kanë njoftuar se janë në vizita zyrtare jashtë vendit.

Presidenti Ilir Meta është i ftuar në kolegjin e mbrojtjes së NATO-s në Romë, me rastin e 10 vjetorit të futjes së Shqipërisë në Aleancën euroatlantike. Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka njoftuar se ndodhet edhe ai në një vizitë zyrtare në kryeqytetin italian. Kryeministri Edi Rama ndodhet në vizitë zyrtare në Katar. Në Shqipëri nuk është as kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili pritet të jetë në Lubjanë të Sllovenisë, i ftuar në një takim për demokracitë në vendet e rajonit.

Kësisoj këtë të hënë, vendi është në dorë të zëvendëskryeministrit Erjon Braçe. Ai është autoriteti më i lartë vendimmarrës.

Më herët protokolli e ndalonte daljen jashtë vendit njëkohësisht të Presidentit, kreu të Kuvendit dhe Kryeministrit, me qëllim që një shtetar i lartë të ishte në atdhe për menaxhimin e çdo situate emergjente, por kjo normë duket që nuk po zbatohet më prej kohësh.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top