MC Networking

Raporti i KE: Barazia gjinore ka përparuar me “hapat e kërmillit” (VIDEO)

Progresi për të arritur barazinë gjinore në Europë ka qenë i ngadaltë. Në një raport të Komisionit Europian, rezultatet e të cilit publikohen pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, thuhet se ka ende shumë për të bërë në drejtim të barazisë gjinore.

Në raport thuhet se pabarazia gjinore del në pah sidomos në aspekte si diferencimi në paga apo mundësitë e avancimit në poste të larta drejtuese.

BE-ja vlerëson në raport se përmirësimi i barazisë gjinore mund të krijojë më shumë se 10 milionë vende pune në dekadat e ardhshme, duke e çuar ekonominë e bllokut deri në 3.15 trilionë euro.

Diferenca në paga

Diferenca në paga mbi bazë gjinore në të gjithë BE-në në tërësi ka qëndruar e pandryshuar në vitet e fundit, thuhet në raport.

Gratë mesatarisht kanë fituar 16% më pak se homologët e tyre meshkuj në 2017-n, një përmirësim prej vetëm 0.6% në krahasim me tre vjet më parë.

Ky diferencim i ka bërë gratë më të prekshme nga varfëria dhe, në disa vende, u ka krijuar pamundësinë të përballojnë kujdesin shëndetësor.

Sipas analizës së BE-së, shkak kryesor për diferencimin gjinor në paga mund të jetë për shkak të përfaqësimit të pamjaftueshëm të grave në detyra të larta të mirëpaguara, që dominohen kryesisht nga burrat.

"Rreth 30% e këtij hendeku mes dy gjinive shpjegohet me numrin e lartë të grave që punojnë në sektorë me paga relativisht të ulëta, siç janë kujdesi shëndetësor dhe arsimi", thuhet në raport.

“Tavani i qelqtë”

Statistikat për gratë ambicioze në karrierë në vendet e BE-së nuk janë veçanërisht pozitive, pavarësisht se shkalla e punësimit ka arritur nivelet më të larta në histori.

Gratë vazhdojnë të jenë të papërfaqësuara sa duhet në role të larta në politikë dhe biznes, një fenomen që njihet si "tavani i qelqtë".

Në biznes, vetëm 6.3% e administratorëve të përgjithshëm në kompanitë e mëdha të BE-së janë femra, ndërsa në vitin 2018 femrat në politikë mbanin pak mbi 18% të posteve drejtuese në partitë kryesore politike.

Raporti vëren se ndërkohë që përqindja e femrave në role të lidershipit politik është luhatur që nga viti 2011, shenjat e progresit janë të pakta.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj shihen si mundësi për të inkurajuar potencialisht dhe për të fuqizuar gratë në këto role.

Megjithatë, progresi në disa fusha bie në sy. Në Parlamentin Europian bien në sy statistikat e Finlandës, e cila 77% të deputetëve të saj i ka femra.

Dhuna ndaj femrave

Dhuna mbetet një problem shqetësues në vendet e BE-së, një fenomen i rikthyer në vëmendje sidomos pas lëvizjes #metoo. 1/3 e femrave mbi 15 vjeçe kanë përjetuar dhunë fizike ose seksuale. Rreth 505 e femrave të BE-së kanë përjetuar ngacimin seksual, ndërsa 10% janë ngacmuar online.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top