MC Networking

Shqipëria, me shërbimin shëndetësor më të dobët në Europë (VIDEO)

Indeksi i Shëndetit Konsumator 2018, i matur nga instituti suedez Health Consumer Powerhouse, ka treguar se Shqipëria renditet e fundit nga 35 shtete evropiane për cilësinë e shërbimit shëndetësor, ndërsa listën e kryeson Zvicra për një kujdes shëndetësor pothuajse të përkryer. Pavarësisht promovimit të rritjes së cilësisë së shëndetit, në fakt duket se peshorja anon në anën e kundërt. Vendi ynë, krahasuar me një vit më parë, ka rënë tre vende duke u renditur i fundit, ndërkohë që në indeksin e vitit të mëparshëm, Shqipëria linte pas Rumaninë, Malin i zi dhe Bullgarinë.

Ndryshe nga Shqipëria, vendet e tjera të Ballkanit kanë bërë progres të shëndetit konsumator. Serbia është ngritur në listë në vendin e 18-të si pasojë e reduktimit të kohës së pritjes së pacientëve dhe të investimeve të ndjeshme si në skanera, ashtu dhe përdorimin e recetave elektronike. Mali i Zi është ngritur në vendin e 23-të, pasi ka arritur të ulë ndjeshëm vdekjen e foshnjave në lindje. Por raporti tregon se vendi ynë ka burime të kufizuara të kujdesit shëndetësor. Indeksi përbëhet nga 6 nën-disiplina: të drejtat e pacientit dhe informacioni; aksesi (koha e pritjes për trajtimin); rezultati; lloji dhe aksesi në shërbime; parandalimi; produktet farmaceutike.

Nisur nga ky vlerësim, Shqipëria merr pikët më të ulëta ndër vendet evropiane. Për sa i përket treguesit të të drejtave të pacientit dhe informacionit, merr 67 pikë, për llojin e shërbimeve dhe aksesin në to merr pikët më të pakta në Europë, 42. Raporti tregon se vendi ynë shpenzon më pak për person për kujdesin shëndetësor, krahasuar me fuqinë blerëse. Po kështu, Shqipëria renditet e fundit dhe për sa i përket numrit të mjekëve, një problem që po shqetëson vazhdimisht sistemin shëndetësor, pas largimit të infermierëve dhe mjekëve në vendet e Bashkimit Europian.

Fatkeqësisht vendi ynë është i pari në Europë për numrin e vdekjes së foshnjave, me 12 vdekje për 1000 lindje ndërsa i treti në Europë me nivelin e ulët të pacientëve që i kanë mbijetuar kancerit. Zvicra kryeson listën me kujdesin më të mirë shëndetësor në Europë, duke lënë pas Holandën. Zvicra ka një sistem shumë të mirë si pasojë e investimeve të mëdha në këtë sektorë. Në vendin e dytë renditet Holanda e ndjekur nga Norvegjia, Danimarka, Filanda, Luksemburgu, Suedia, Austria dhe Islanda.

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top