MC Networking

Rrjetet sociale dhe pasojat në shëndetin mendor

Studimet që ngrenë shqetësimin e përdorimit kompulsiv të smarfonëve dhe mediave sociale janë gjithnjë e më të shpeshta. Sipas një sondazhi të kryer nga Ofcom, rregullatori i telekomunikacionit në Britaninë e Madhe, 2/5 e të rriturve kontrollojnë telefonin sa hapin sytë në mëngjes, ndërsa te individët nën 35 vjeç, kjo kategori përbën 2/3. Më shumë se gjysma e përdoruesve thonë se këto pajisje janë bërë shkak për ndërprerjen e një bisede me familjarët.

Në SHBA, instituti kërkimor PEW raporton se ¼ e amerikanëve janë online në mënyrë pothuajse të përhershme.

Ka një bindje të gjithëpranuar se emailet që vijojnë të mbushin inbox-in e punonjësve edhe pasi kanë mbaruar orarin e punës mund të kenë efekte negative në shëndetin mendor. Në fakt, ishin pikërisht këto emaile në smartfonët e parë që hapën “lojën” e teknostresit të epokës moderne, thotë Cary Cooper, profesor në Manchester Business School.

Kontrollimi i vazhdueshëm i pajisjeve tona po bën që “njerëzit të mbingarkohen”, thotë ai. "Kjo i shkëput nga ajo që po bëjnë dhe i detyron të angazhohen kur duhet të pushojnë natën, në fundjavë, dhe ata nuk ndërveprojnë me familjet e tyre".  

Franca e ka zgjidhur këtë problem nëpërmjet një ligji që u garanton punonjësve të shkëputen plotësisht pasi largohen nga zyra. Në këtë drejtim, edhe disa kompani gjermane kanë marrë masa. “Daimler” fshin automatikisht emailet e punonjësve kur ata janë me pushime, ndërsa Volksëagen i bllokon gjatë orëve kur nuk janë në punë.

Përdorimi i mediave sociale është gjithashtu një shqetësim, megjithatë pa ndodnjë peshë të madhe për kompanitë. Shqetësimi kryesor i tyre në lidhje me to ka të bëjë me rrezikun që reputacioni i kompanive të dëmtohet nga një status i keqinterpretuar dhe jo me shëndetin mendor të punonjësve.

Megjithëse ende nuk konsiderohet të jetë aq e dëmshme sa varësia nga lojërat e fatit në internet apo pornografia, shqetësimi është gjithsesi në rritje në lidhje me ndikimin e mediave sociale në gjatë kohës kur njerëzit janë në punë.

“Përdorimi i Facebook-ut në zyrë është një shpenzim i kohës, por njerëzit historikisht kanë gjetur mënyra për ta shtyrë kohën në punë”, thotë David D’Souza, drejtor i Institutit për Zhvillimin e Personelit.

"Shumë punëdhënës nuk zbatojnë rregulla të rrepta ose të qarta në lidhje me përdorimin e mediave sociale në punë dhe kështu, në mungesë të një kërcënimi ose një pasoje të rëndë, shumë punonjës besojnë se nuk ka ndonjë gjë t’i hedhësh një shikim të shpejtë rrjetit social. Për fat të keq, kjo pastaj mund t’i fusë ata në spiralen e një varësie më të rëndë", shton ai.

Ekspertët thonë se, nëse punëdhënësit vërejnë se punonjësit po i përdorin në mënyrë të tepruar mediat sociale, atëherë praktikat e punës duhet të shqyrtohen. / Marrë me shkurtime nga Financial Times

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top