MC Networking

Raporti i Eurostat: Më pak martesa, më shumë divorce dhe fëmjë jashtë martese (VIDEO)

Eurostat ka bërë publike statistikat mbi martesat në vendet e BE-së. Raporti i publikuar në ditën e Shën Valentinit e rendit Lituaninë të parën për numrin më të madh të martesave për çdo 1 mijë banorë. Ajo qëndron në krye të listës me mesatarisht 7.5 martesa për 1 mijë banorë, ndërsa e dyta renditet Rumania me 7.3 martesa. Statistikat e përpunuara i përkasin vitit 2017.

Vendi me më pak martesa është Sllovenia, me 3.1 martesa për çdo 1 000 njerëz; e ndjekur nga disa vende të Evropës Perëndimore, si Italia, Luksemburgu, Portugalia, Franca, Spanja, Holanda dhe Belgjika.

 

 

Por shifrat e martesave në tërësi në të gjithë Bashkimin Evropian janë në rënie, duke u zvogëluar pothuajse 50% që nga viti 1965, ndërkohë që shifrat e divorcit gati janë dyfishuar.

Eurostat thekson në raport se rritja e numrit të divorceve mund t'i atribuohet faktit se një numër jo i vogël i vendeve të BE-së i kanë lehtësuar praktikat e divorcit.

Sa i përket rënies së numrit të martesave, Eurostat vëren në raport se: "Martesa, siç njihet nga ligji i çdo vendi, është konsideruar prej kohësh si hapi i parë për formimin e një familjeje. Megjithatë, analiza e trendeve të formimit dhe shpërbërjes së familjeve, bazuar në të dhënat e martesës dhe të divorcit, mund të mos ofrojë një tablo të plotë. Alternativat e martesës, të njohura ligjërisht, si partneriteti i regjistruar, janë bërë më të përhapura dhe ligjet kombëtare kanë ndryshuar, duke u dhënë më shumë të drejta çifteve të pamartuara".

 

Lindjet brendamartesore dhe jashtëmartesore

Ndërsa sheh më thellë mënyrën se si ka ndryshuar ajo që dikur ishte familja tradicionale, Eurostat i kushton vëmendje numrit të lindjeve të fëmijëve jashtë martese.

Në vitin 2016, në disa shtete anëtare të BE-së, këto lindje ishin më shumw se numri i fëmijëve të lindur nga çifte të martuara.

Këto shifra u vërejtën në vende të tilla si Franca dhe Sllovenia, ku në vitin 2017 u raportuan shifra më të ulëta të martesës në krahasim me pjesën tjetër të BE-së.

Lituania, e cila mban kreun e tabelës së vitit 2017 për numrin e martesave, ishte gjithashtu në fund të tabelës për vendet me numrin më të madh të lindjeve brenda martesës.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top