MC Networking

Rifillon puna për HEC-et mbi Valbonë, gjykata vendos në favor të kompanisë ndërtuese

Gjykata e Tropojës i hap rrugën vijimit të punës për ndërtimin e hidrocentraleve në luginën e Valbonës.

Me një vendim që mban datën 1 shkurt 2019, Gjykata e Tropojës ka anuluar vendimin që lejonte ndërprerjen e punimeve për HEC-et mbi lumin e Valbonës.

Shoqata TOKA, e cila që në krye të herës ka dalë kundër ndërtimit të HEC-eve dhe shfrytëzimit të lumit, ka bërë me dije se është njoftuar nga Përmbaruesi i Tropojës, Eduard Mrishaj, për një vendim të Gjykatës së Tropojës, që mban datën 21 dhjetor 2018, me objekt “ndreqje gabimi”, sipas të cilit duhen pezulluar veprimet përmbarimore në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit, datë 6 qershor 2018.  

Ky i fundit përcakton që kompania “Dragobia Energy” dhe “Gener 2” të ndërpresin ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Valbonës.

Në një vendim të marrë gati dy muaj më vonë, më 31 korrik 2018, Gjykata e Tropojës bllokoi zbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës dhe vendosi pezullimin e veprimtarisë së Përmbaruesit deri më 31 janar 2019.

Por gjashtë javë më parë, sipas shoqatës TOKA, gjykata është mbledhur sërish për të vendosur në mënyrë të përhershme anulimin e veprimeve përmbarimore, duke i hapur rrugë rifillimit të punimeve.

Për shoqatën TOKA, ky është një vendim i ri dhe aspak korrigjim i vendimit të mëparshëm dhe në të tilla kushte, pra në mungesë të palëve, të cilat nuk janë vënë në dijeni, është në kundërshtim me ligjin. 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top