MC Networking

“Le Iene” në “luftë” me Kanunin në Shqipëri

Emisioni investigativ ‘Le Iene’ në Itali i është rikthyer rastit të 22-vjeçarit Gjergj Gjoni, i vrarë në Itali pak vite më parë, prindërit e të cilit kërkojnë të marrin gjak sipas Kanunit.

Ngjarja ka ndodhur më 20 tetor 2015, kur Gjoni u qëllua për vdekje nga italiani Francesco Sicignano, ndërsa po tentonte të grabiste në banesën e këtij të fundit.

Rasti u shqyrtua nga Gjykata e Milanos dhe në dhjetor të 2017-s, pensionisti italian 65-vjeçar u shpall i pafajshëm. Ngjarja hapi një debat të madh në Itali në lidhje me të drejtën e njerëzve për t’u vetëmbrojtur në shtëpinë e tyre.

Pak javë më parë (më 27 janar 2019),  Le Iene udhëtoi drejt Pukës, ku takoi dy prindërit e Gjergjit, të cilët betohen se do të hakmerren për të birin te fëmijët e autorit të vrasjes.

Në emisionin e transmetuar më 10 shkurt, “Le Iene” kërkon ndihmën e një ndërmjetësi, Nikollë Shumani, pajtues gjaqesh.

Por prindërit e 22-vjeçarit të vrarë nuk pranojnë versionin e autorit të vrasjes dhe policisë italiane. Ata nuk pranojnë të shohin fotot e vendit të ngjarjes dhe të trupit të të birit, që e implikojnë në vjedhje, por kërkojnë që Francesco Schicignano të vijë në Shqipëri për të biseduar.

Ky i fundi e përjashton në mënyrë kategorike këtë mundësi, duke e quajtur shantazh.

Ndërkohë, për këshilltarin e ministrit të Brendshëm, i pyetur nga “Le Iene”, Kanuni në Shqipëri nuk zbatohet.

“Ky fenomen nuk ekziston në Shqipëri. Është produkt i disa shoqatave për të siguruar fonde dhe për të mbijetuar duke e kthyer në industri fitimi”, thotë ai.

“Le Iene” ngul këmbë se viktima e këtij fenomeni gjatë vitit 2016 kanë qenë të paktën 12 persona, 4 prej të cilëve fëmijë.   

“Nëse nuk e bën qeveria shqiptare, kush do t’i ndalë kërcënimet me vdekje që kanë në shënjestër një familje italiane?”, është pyetja që nge emisioni.

Shqiptarët: Kanuni dënon atë që i hyn tjetrit në shtëpi

“Le Iene” është një nga emisionet më të ndjekura në Itali dhe investigimi në Shqipëri është pasuar me një lumë komentesh në profilin e emisionit në “Facebook” (ndiqni fotot më poshtë). Por ajo që të bie në sy është qëndrimi që mbajnë shqiptarët. Shumica argumentojnë se, nëse vihet në zbatim Kanuni në këtë rast, ata që duhet të kërkojnë falje janë pikërisht prindërit e Gjergj Gjonit. “Nëse do të kishte ndodhur në Shqipëri, babai i grabitësit do të duhej t’i kërkonte falje Francesco Sicignano-s”, shkruan një shqiptar.

“Kanuni mban anën e civilizimit: Mos shko të vjedhësh në shtëpinë e tjetrit”, shkruan një tjetër.

Të tjerë shprehen se familja Gjoni po prish imazhin e shqiptarëve. “Jetoj në Itali prej 8 vitesh dhe punoj si kalë 10 orë në ditë. Askush nuk më ka vrarë deri tani. Gjejeni pse”, shkruan një emigrant shqiptar.

“Akoma më këtë histori? Lëreni, mos na prishni imazhin si komunitet”, shkruan dikush tjetër.   

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top