MC Networking

Censura absurde për një film të Woody Allen

Pierluigi Battista

Pasi më në fund, Woody Allen vendosi të padisë Amazon, për arsyen se nuk ka hedhur në qarkullim qëllimisht filmin e tij “Një ditë shiu në Nju-Jork”, le të shpresojmë se një “argjinaturë” e vogël lirie mund shërbejë për të përmbajtur dallgën neoobskurantiste të censorëve modernë dhe arrogantë. Deri tani vonë ishin ngritur pak zëra (me përjashtim të apelit "për një film të lirë", i promovuar në Itali nga drejtori Giulio Laroni) për të shprehur pështjellimin në të cilin u gjend bota e kinemasë dhe kulturës përballë një rasti linçimi në dëm të një prej regjisorëve më të mëdhenj të botës.

Për shkak të frikës së censorëve, Amazon ka vendosur të heqë nga lista një vepër arti si masë parandaluese. Një dëm i madh. Është njësoj sikur askush të mos botonte një roman të Ernest Heminguejt për shkak të antipatisë për shkrimtarin apo sikur galeritë e artit dhe muzetë të binin dakord për të mos ekspozuar më veprat e Boteros (siç ndodhi me veprat e Egon Schiele në Londër).

Për të rënë dakord për një fushatë histerike që e bën Woody Allen përgjegjës për ngacmime seksuale (që megjithatë janë inekzistente sipas një vendimi të dhënë nga drejtësia amerikane), është shkatërruar një parim bazë i lirisë së shprehjes dhe asaj kulturore e artistike. Por bota e filmit, e paralizuar nga tmerri se mund të bëhet shënjestër e profesionistëve të rinj të linçimit, mbeti e heshtur.

Asnjë protestë në festivale të mëdha ndërkombëtare, asnjë fjalë për të dënuar sulmet ndaj lirisë së të shprehurit, asnjë qëndrim në lidhje me këtë temë nga yjet e televizonit apo spektaklit, asnjë hashtag apo gjest solidariteti me Woody Allen, sikur të ishte diçka krejt normale fakti që, publikut nuk i vihet në dispozicion një film për shkak të një obsesioni që ka lidhje me censurën.

Edhe më shumë se akti i nënshtrimit te imperativat e reja të dogmatizmit të Amazon, të trondit tërheqja e butë e kolegëve të Allen, prirja e tyre për t’u dhënë fitoren të tjerëve vetëm e vetëm që të mos shfaqen në krah të atij që është vënë në shënjestër. Tani beteja ligjore midis Allen dhe Amazon do të ndjekë rrugën e saj në gjykatë dhe na mbetet të shpresojmë që filmi të mund të shihet nga publiku anembanë botës. Më mirë vonë se kurrë. / Corriere della Sera /  

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top