MC Networking

Mbrojtja në rast emergjencash radiologjike, Mema: Nuk jemi në nivelet që kemi qenë (VIDEO)

Në fund të vitit 2018, qeveria ka miratuar një plan masash për reagimin në rast të një emergjence radiologjike. VKM me nr. 700, datë 21.11.2018, parashikon krijimin dhe organizimin e infrastrukturës së nevojshme teknike për të këshilluar autoritetet vendimmarrëse, si dhe për të informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, për të zbutur dhe eliminuar pasojat e çdo lloj emergjence radiologjike, në mënyrë të integruar. Vendimi është në fakt një rregullore, për zbatimin e të cilës ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet, Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet dhe Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar.

Sa i përket rrezikut që paraqet një incidenti potencial bërthamor në vendet fqinje, katër janë centralet që mund të sjellin pasoja në vendin tonë. Në mënyrë të veçantë, ndikim mund të kenë Kozlodui në Bullgari dhe Kërsko në Slloveni.

Por a është ky plan masash i mjaftueshëm në rast të një incidenti bërthamor apo rënies së lëndëve radioaktive në duart e dikujt që mund t'i përdorë për qëllime të mbrapshta? Duke kujtuar incidentin e Çernobilit, Shkëlqim Mema, ish-anëtar i Komisionit për Mbrojtjen nga Rrezatimi, tashmë në pension, thotë se rasti i vitit 1986 vuri në provë planet e atëhershme të masave dhe efikasitetin e tyre.

Por 33 vjet më vonë, sipas tij, situata të tilla kërkojnë pajisje dhe njerëz. Në këtë drejtim, qendrat kryesore që ndjekin situata të tilla, Instituti i Fizikës Bërthamore në këtë rast, duan mbështetjen e shtetit, për të mos mbetur vetëm te planet në letër.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top