MC Networking

Përplasja e radhës/ Meta: Nuk ka fuqi në botë të më bëjë shantazh, Rama: Nuk di si të dalësh nga gropa që i hape vetes (VIDEO)

Kryeministri Rama dhe presidenti Meta vijojnë replikat përmes rrjeteve sociale lidhur me mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Pasi Meta hodhi poshtë propozimin e Ramës për të emëruar Cakajn në postin e kreut të diplomacisë, “përplasja” e dy krerëve më të lartë të shtetit u intensifikua përmes deklaratave në media dhe postimeve në rrjete sociale.

Dje Rama e cilësoi të turpshëm refuzimin e kreut të shtetit, gjatë një pritjeje me trupin diplomatik, ku u shfaq krah Gent Cakajt.

Ndërsa sot, presidenti Meta në një postim në Facebook shkruan se Rama “bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!”, shkruan Meta.

Reagimi i kryeministrit Rama ishte i menjëhershëm. Ai e cilëson Metën palë me opozitën.

 “Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave pasuordin e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, ngaqe s’di si të dalë nga gropa që i hap vetes! I çova provat e mëkatit ndaj Gentit dhe vuan tani”, shkruan Rama.

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top