MC Networking

Meta kërkon hetim për DSIK: Komision parlamentar për të shmangur konfliktin e interesit (VIDEO)

Pas refuzimit të Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm, presidenti Meta kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për verifikimin e veprimtarisë së Drejtorisë së Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuar (DSIK). Në një letër drejtuar kreut të Parlamentit, Gramoz Ruçi, dhe krerëve të grupeve parlamentare, presidenti Meta vlerëson të domosdoshme kryerjen e një hetimi të plotë administrativ nga Parlamenti mbi pajisjen brenda një dite të Genc Cakajt me certifikatë sigurie.

“Vetëm më datën 3 janar 2019, moment ky që përkon me bërjen publike të propozimit të kryeministrit për emërimin e tij në postin e MEPJ (si dhe tre ditë para firmosjes së propozimit për dekretim si ministër të MEPJ-së ai ka plotësuar aplikimin për çertifikatë sigurie pranë kësaj ministrie dhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillonte nga marrja e detyrëss si zv/ ministër i MEPJ-së", thuhet në letrën e presidentit Meta.

Kreu i shtetit vlerëson se pajisja e Cakajt me certifikatë sigurie nga DSIK-ja vetëm brenda një dite tregon se proces është kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me ligjin “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”. Në këtë mënyrë, ai nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).

Kreu i shtetit argumenton se, për shkak se DSIK është institucion në varësi të kryeministrit Rama, një hetim administrativ do të krijonte konflikt interesi, pasi do të kryhej nga organe të tjera, po ashtu në varësi të kryeministrit.

“Duke qenë se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është një institucion në varësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit, është e qartë se procesi i hetimit administrativ nuk mund të kryhet nga organe të tjera në varësi të kryeministrit, pasi krijohet një situatë e pastër e konfliktit të interesit, gjë e cila mund të cenojë objektivitetin dhe cilësinë e hetimit të këtij rasti, Presidenti i Republikës, vlerëson se, për rastin konkret, Kuvendi i Shqipërisë mund të realizojë objektivisht këtë proces hetimor."

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top