MC Networking

Mungesë “transparence”, Bashkia e Tiranës nuk informon për buxhetin (VIDEO)

Dëgjesat publike për buxhetin janë zhvilluar pa praninë e medias, pasi Bashkia e Tiranës në të paktën 25 raste të evidentuara nga TemaTv nuk ka njoftuar. Nisur nga ky fakt, Partia Demokratike e cilëson shkelje flagrante të ligjit, ndërsa ngre problemin e rritjes së taksave përmes së cilave, sipas saj, bashkia ka shtuar të ardhurat në buxhet, por ka varfëruar xhepat e qytetarëve në kryeqytet.

Bashkia e Tiranës ka prezantuar buxhetin e saj për vitin 2019, në çdo njësi të ndryshme administrative, takime të cilat janë zhvilluar pa prezencën e medias. Pavarësisht se “Tema Tv” kërkoi zyrtarisht të njoftohej për këto takime në të paktën 25 raste, kjo nuk ka ndodhur, ndërkohë që dëgjesat publikoheshin një ditë më pas. E njëjta praktikë është përdorur edhe gjatë ndërtimit të sheshit "Skënderbej".

Mungesa e transparencës vihet në dukje edhe nga këshilltari bashkiak i PD-së, Akil Kraja.

Bashkia Tiranë ka dëshmuar për rreth 4 vite mungesën e transparences në mënyrë konstante për sa u përket vendimeve madje edhe për metodologjinë se si merren këto vendime. Rasti më flagrant është Unaza, zgjatimi i Unazës tregoi që kjo demokraci në momentin që vuan mund të kthehet në një konflikt social”, deklaroi këshilltari i PD-së. 

Ndërkohë, buxheti i vitit 2019 sipas planit afatmesëm të bashkisë është 15.2 miliardë lekë, dhe nga këto 8 miliardë sigurohen nga taksat, e thënë ndryshe gjysma e buxhetit. Por nëse bashkia ka rritur buxhetin përmes rritjes së taksave, kjo në optikën e Partisë Demokratike ka thelluar problemet për xhepat e qytetarëve në kryeqytet.

Buxheti i Bashkisë Tiranë është mbi 300 mijë euro dita, që do të thotë kur njerëzit thonë po, në Bashkinë e Tiranës po punohet, të pyesin po për çfarë çmimi po punohet. Taksa apo tarifa vendore për një famije të Tiranës shkon përafërsisht 75 mijë lekë në muaj. Që do të thotë ka një vështirësi realisht për nivelin e jetesës. Sot 1 në 2 shqiptarë ka vështirësi për orientimin e jetës së tij, ndërkohë që në rajon kjo është 1 në 4 banorë”, tha Kraja.   

Teksa shembulli i shembjes së banesave është tepër aktual, për periudhën janar –nëntor 2018, numri i lejeve të ndërtimit të dhëna është 157, dhe dy licenca tregtare ,thuhet në një përgjigje zyrtare të Bashkisë. Por ku konsultohen këtë informacione? Në faqen e Bashkisë nuk është e mundur, pasi edhe rubrika Open Data është jashtë funksionit. Të dhënat në këtë rast janë marrë në zbatim të së drejtës së informimit, ndërkohë që Bashkia e Tiranës është vlerësuar vitin e kaluar me çmimin e transparencës, një nga kriteret e të cilit ishte edhe informimi online.

Janë 3 momente. I pari: Erion Veliaj ka thënë në vitin 2015 gjatë fushatës së tij zgjedhore se do të kishte një moratorium ndërtimesh. Pra, ka një shkelje madhore të premtimit të tij elektoral ndaj qytetarëve të Tiranës. Momenti i dytë: sektori i ndërtimit në Tiranë ka një bum të jashtëzakonshëm, ndërkohë që kredia për këtë sektor është në stanjacion, për mos të thënë në rënie. Pra, absolutisht opozita ka dyshime legjitime që paratë me të cilat financohen këto ndërtime nund të vijnë nga aktivitete kriminale. Dhe moneti i tretë shumë i rëndësishëm: Erion Veliaj ka rritur në mënyrë të jashtëzakonshme taksat për ndërtimet e reja, ka shkuar në 8 % të vlerës së shitjes. Grupi i këshilltarëve bashkiakë të opozitës ka disa denoncime publike në prokurori, madje edhe në Gjykatën e Tiranës”, theksoi Kraja.

Keni marrë përgjigje?  

Fatkeqësisht sistemi i drejtësisë në Shqipëri është i penguar”, u përgjigj Kraja.    

Sakaq, buxheti do të shqyrtohet dhe pritet të miratohet nga Këshilli Bashkiak në fillim të dhjetorit, pavarësisht se nga ana e Krajës ende nuk dihet nëse do të votohet apo nëse do të kthehet për ta diskutuar.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top