MC Networking

Bularat, Kacifas përcillet me flamurin grek dhe thirrje antishqiptare (FOTO/ VIDEO)

Përcillet sot për në banesën e fundit 35-vjeçari Konstantinos Kacifas, i cili mbeti i vrarë pasi hapi zjarr në drejtim të policisë më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës.

Trupi i 35-vjeçari të minoritetit grek u zhvendos dje në fshatin e lindjes, pas ekspertizës mjeko-ligjore në Tiranë.

I mbuluar me flamurin grek, trupi i të ndjerit është pritur nga të afërm dhe banorë të zonës. Varrimi është mbajtur në orën 13:00. Gjatë ceremonisë është shpalosur flamuri grek dhe nuk kanë munguar edhe thirrje antishqiptare. 

“Vorio Epiri është Greqi, Kacifas jeton, Kacifas drejton”. Me këto thirrje 35-vjeçari Konstandinos Kacifas është përcjellë për në banesën e fundit.

Ndërkohë, në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë kanë mbërritur herët në mëngjes autobusë dhe makina me shtetas grekë që morën pjesë në ceremoninë mortore.

Kjo e fundit u zhvillua në Bularat, ku nuk pati të pranishme uniforma policie, për të shmangur çdo provokim të mundshëm.  

Paraprakisht policia ka ushtruar kontrolle të rrepta në pikat e kalimit kufitar për personat që do të bëhen pjesë e ceremonisë, me qëllim shmangien e personave me prirje ekstremiste. 

Në zbatim të kësaj mase, raportohet se policia shqiptare ka kthyer pas një furgon me mbështetës të Agimit të Artë dhe dhjetëra persona me simbole dhe flamuj grekë, të cilët tentuan të hynin në Shqipëri me makina të vogla.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top