MC Networking

Ndahet nga jeta shkrimtari Fatos Arapi

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare shkrimtari i njohur, Fatos Arapi. Lajmi është bërë i ditur nga familja e shkrimtarit. Ceremonia e varrimit do bëhet në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Fatos Arapi lindi në vitin 1929, në Vlorë. Pasi kreu shkollën e mesme, studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë. Arapi ka fituar disa çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi “Kurorën e artë”, në manifestimin poetik “Mbrëmjet e poezisë strugane” dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995.

Arapi njihet edhe për përkthime si: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top