MC Networking

“Europa e bashkuar na duhet më shumë se asnjëherë”

Nga Prokopis Pavlopoulos dhe Frank-Walter Steinmeier*

Ky është tashmë takimi ynë i dytë në Athinë, si kryetarë shtetesh. Ky vend nuk krahasohet me asnjë tjetër në Evropë kur është fjala për rrënjët tona të thella dhe të përbashkëta, të cilat shtrihen përtej marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe Greqisë. Europa e sotme do të ishte e pakonceptueshme pa trashëgiminë greke apo pa demokracinë athinase të Perikliut.

Megjithatë, sot ne takohemi në rrethana të veçanta. Rrethanat që na bëjnë të kuptojmë tërësisht se demokracia, e cila ka origjinën e saj këtu dhe e kemi marrë për të mirëqenë në variantin e saj bashkëkohor vitet e fundit, si themeli i shoqërive tona, po sfidohet sot dhe se ne duhet të luftojmë për demokraci - dhe nganjëherë ta mbrojmë atë në kuptimin e parë të fjalës  - ditë pas dite. Vlerat dhe bindjet tona kanë qenë nën presion deri në një masë që nuk është dëshmuar, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Mendimi autoritar, që menduam se e kishim kapërcyer pas rënies së totalitarizmit, është rikthyer sërish në sipërfaqe dhe për fat të keq, po kthehet në frymëzim për shumë njerëz. Tërheqja ndaj nacionalizmit dhe euroskepticizmit është në rritje në shumë zona të Bashkimit Evropian. Për më tepër, shumë njerëz sot nuk e konsiderojnë më Bashkimin Evropian si një arritje historike, garantuese të paqes dhe të të drejtave të njeriut, prosperitetit dhe drejtësisë sociale. Kujtimet e rrugës së gjatë dhe të vështirë nga humnerat e luftërave deri te Europa të bashkuar, demokratike dhe paqësore, dhe joshja e kësaj Europe të bashkuar, rrezikojnë të veniten e të lihen mënjanë.

Ky duhet të jetë një sinjal i lartë alarmi për Greqinë dhe Gjermaninë në veçanti. Për të dy vendet, perspektiva e paqes e garantuar nga integrimi evropian ishte përgjigja - sigurisht shumë e ndryshme – ndaj shmangies së historisë. Për Gjermaninë, ajo përfaqësonte rikthimin në “vathën” e bashkësisë ndërkombëtare, pas tradhtisë së paimagjinueshme të të gjitha vlerave të qytetërimit tonë nga nacional-socializmi. Në rastin e Greqisë, ishte një çështje e konsolidimit të demokracisë pas një diktature ushtarake brutale. Kjo krijon një përgjegjësi të veçantë dhe sidomos personale, për të garantuar që ky projekt unik të kthehet në sukses.

Dy vendet tona kanë krijuar tashmë lidhje shumë të ngushta përgjatë dekadave. Ne kemi zhvilluar marrëdhënie të ngushta harmonike dhe ekonomike. Dhe, përtej të tjerave, uniteti mes dy vendeve tona është forcuar edhe më tej nga shumë marrëdhënie miqësore. Sidoqoftë, kjo miqësi ishte gjithçka, por ka pasur edhe momente të vështira, sigurisht. Historia jonë e përbashkët ka pasur shumë pika të nxehta, por gjithashtu, për fat të keq, katastrofat i matën thellësitë. Fakti që ne kemi arritur, falë ndërgjegjësimit të së kaluarës, të krijojmë një të tashme të përbashkët evropiane, është një dhuratë e çmuar që duhet ta ruajmë. Përgjegjësia jonë për të mbështetur lirinë dhe dinjitetin e çdo qenieje njerëzore dhe për të kundërshtuar padrejtësinë, despotizmin dhe krimin, si dhe për të mbrojtur demokracinë, del pikërisht nga ky kapitull i dhimbshëm i marrëdhënieve tona. Kjo është gjithashtu baza e përgjegjësisë tonë për të mbështetur këtë synim të paçmuar të paqes, përballë të cilit ne besojmë fort se nuk ka alternativë efektive.

Në botën e sotme, ne kemi shumë nevojë - urgjentisht - për Europën e bashkuar, më shumë se në të kaluarën. Kërcënimet janë të ndryshme, që nga terrorizmi ideologjikisht i motivuar e deri te ndryshimet klimatike, të cilat mund të evoluojnë me ritëm të ngadaltë, por me pasoja të mëdha, që nuk ndalen në kufijtë kombëtarë. Sidomos kur aleatët tradicionalë largohen nga ne dhe tërhiqen nga bashkëpunimi shumëpalësh, përgjigjja jonë, më shumë se kurrë, duhet të jetë Evropa. Ne duhet ta mbrojmë dhe, sa herë që është e mundur, ta përforcojmë këtë Europë të bashkuar. Me fjalë të tjera, ne kemi detyrimin ta bëjmë këtë detyrë, që rrjedh nga historia jonë kombëtare dhe ajo e përbashkët.

Ne gjithashtu jemi të vetëdijshëm se do ta kryejmë këtë detyrë vetëm nëse ideja evropiane e një shoqërie liberale dhe demokratike, që i tejkalon kufijtë kombëtarë, mbetet e fortë dhe bindëse në thelbin e saj - nëse u tregon përsëri njerëzve se do të gjejë përgjigje për problemet më të ngutshme të qytetarëve në Bashkimin Evropian dhe se, si sistem politik mund të garantojë rendin politik, sigurinë, prosperitetin dhe drejtësinë sociale, ndërsa në të njëjtën kohë mund të marrë masa vendimtare për t'u përballur me kërcënimet e jashtme. Në fund të fundit, Bashkimi Evropian mund t'u ofrojë brezave të ardhshëm perspektiva të qarta, kjo për shkak se fati i tij qëndron në duart e këtyre brezave.

Për të arritur këtë, Bashkimi Europian ka nevojë për mekanizma efikasë të vendimmarrjes dhe instrumente të forta për të vënë në zbatim vendimet. Dhe duhet të mbajmë parasysh atë çfarë e ndihmoi Bashkimin Evropian të arrinte kaq shumë gjatë dekadave të fundit: themeli mbi të cilin u ndërtua, përkatësisht rrënjët kulturore dhe intelektuale dhe solidariteti i anëtarëve të saj. Vetëm në një rast të tillë, Bashkimi Evropian mund të vijojë të mbajë pishtarin e shpresës për një botë më të drejtë dhe paqësore, ashtu siç bëri për gjeneratën tonë. Ne të dy duam të vazhdojmë të bëjmë atë që na takon për ta mbështetur këtë perspektivë. Është në dorën e ne të gjithëve ta mbajmë ëndrrën evropiane të gjallë dhe tërheqëse, për ne dhe sidomos për fëmijët e nipërit tanë.

*Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, dhe homologu i tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier, e kanë shkruar këtë artikull të përbashkët për gazetën greke “Kathimerini” me rastin e vizitës së kreut të shtetit gjerman në Greqi, në datat 10-12 tetor.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top