MC Networking

Braçe kërkon shpjegime për FSHF-në, Ahmetaj: Ligji i ri do të sjellë transparencë (VIDEO)

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, raportoi sot në lidhje me ligjshmërinë fiskale të Federatës Shqiptare të Futbollit, pas një kërkese për interpelancë nga deputeti Erion Braçe.

Në nisje të seancës, Braçe ligji nuk përjashton askënd nga taksat, duke sjellë shembuj nga bota e sportit botëror, kur sportistë të ndryshëm janë sanksionuar për evazion fiskal. Braçe u shpreh se në këtë aspekt, në lidhje me FSHF-në si institucioni më i rëndësishëm i sportit ka kërkuar informacion që në shkurt.     

 “Prej Kushtetutës është e qartë që nuk ka asnjë autoritet politik, duke filluar nga ministri e deri te një inspektor që të përjashtojë nga taksat cilindo individ apo shoqëri. Nuk ka. Ka barazi fiskale për cilindo subjekt të ligjit. Të trajtuarit njësoj në përmbushje të detyrimeve me ligje të votuara në Parlament. FSHF është një nga institucionet më të rëndësishme në këtë vend, që përfaqëson flamurin e këtij vendi në aktivitetet ndërkombëtare. Që nga muaji shkurt kam kërkuar informacione për ligjshmërinë fiskale të tij dhe ende nuk kam një përgjigje të qartë”, tha Braçe.

Në përgjigje të kreut të Komisionit të Ekonomisë, ministri Ahmetaj ligji i ri për sportin do të sjellë më shumë transparencë në këtë fushë. Ahmetaj u ndal gjerësisht në investimet e qeverisë për sportin.

“Për të bërë dallim mes dy qeverive për atë që është bërë për sportin. Duke iu referuar kërkesës për interpelancë, ka detaje që do hedhin dritë mbi situatën e klubeve të futbollit apo mbi aktivitetin e FSHF. Kemi në dorë ligjin e sportit, iniciativë e kryeministrit, për të qartësuar situatën e mbështetjes financiare dhe do ndihmojë në transparencën e mëtejshme në këtë fushë. Përsa i përket FSHF, sot ajo për shkak të mbështetjes buxhetore dhe ligjore të qeverisë Rama 1, ka tre stadiume të reja: i Elbasanit, i Shkodrës dhe kompleksi sportiv i Tiranës. Stadiume janë ndërtuar vetëm në kohën e Enverit. Futbolli dhe shumë sporte të tjera janë krenaria e Shqipërisë, kemi qenë ne majtas e djathtas kur ekipi kombëtar bëri atë paraqitje spektakolare në Francë. Ishte ky kryeministër që i akordoi Kombëtares një pagesë 1 mln euro, për t’i treguar vlerësimin. Ka emra të njohur të fushës së futbollit, që i bëjnë nder vendit. Igli Tare, një nga teknikët më të mirë në botë. FSHF dikur ishte një institucion pa zë. FSHF deklaron në organin tatimor tvsh për veprimtaritë e shitjeve, të ardhurat e shpenzimet. Në 2014, 835 mln lekë, shpenzime 930 mln lekë. Në 2015, 2.4 mln lekë dhe ka harxhuar 2.6 lekë. Në 2016 3.92 lekë dhe shpenzime 2.6 mln lekë”, tha Ahmetaj.

Por deputeti Braçe i cilësoi të pamjaftueshme shpjegimet e ministrit Ahmetaj.

“Në asnjë rast nuk do ta mbyll gojën para individëve dhe institucioneve që kanë fituar imunitet fiskal. Qofshin nderi i kombit, qofshin llumi i kombit, pasi para ligjit duhet të paguajnë tatimet. Unë nuk pyeta sesa paguajnë ekipet e futbollit, apo lojtarit. Por pyeta se sa është tatimi mbi të ardhurat personale që paguan FSHF. Këto pyeta, për të cilat nuk mora përgjigje. Po vijoj ta shpjegoj. Që në muajin shkurt në përgjegjësin e Kuvendit si deputet, i kam kërkuar Ministrisë së Financave, për tatimet në burgim për të ardhurat nga pagat, për shpërblimet, për të punësuarit në FSHF. Për 8 muaj me radhë nuk jepet përgjigje”, tha Braçe.

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top