MC Networking

Aksioni i RENEA-s në Lushnjë, plagoset në rrethana të paqarta një i moshuar

Plagosja në rrethana të paqarta e një 77-vjeçari gjatë një operacioni të forcave speciale RENEA në Lushnjë ka “përplasur” sot familjarët me policinë.

Operacioni i RENEA-s është kryer rreth orës 05:30 në fshatin Remas të Lushnjës, ku janë ushtruar kontrolle në disa banesa.

Një nga banesat e kontrolluara ka qenë dhe ajo e familjes Lika, ku në rrethana ende të paqarta është plagosur me plumb në kokë 77-vjeçari Haxhi Lika.

Sipas policisë, 77-vjeçari Haxhi Lika ka dalë në dritare me një armë në dorë, në momentin që policia ka ka rrethuar banesën.

"Në momentin që policia ka bërë rrethimin e banesës dhe konform gjithë procedurave standarde të ndërhyrjes, shtetasi H.L., nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë, por ka dalë në dritare me një armë në dorë (rezultoi armë gjahu). Ndodhur në këto kushte policia ka qëlluar në ajër duke i bërë thirrje përsëri shtetasin H.L., për të dalë nga banesa. Në rrethana ende të paqarta shtetasi H.L., është dëmtuar në kokë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Eksperti mjeko-ligjor po punon për përcaktimin e shkakut të dëmtimit dhe rrethanat", thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, familjarët kanë një version tjetër për ngjarjen. Ata thonë se i moshuari është goditur me armë ndërsa ishte në krevat brenda në banesë.

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top