MC Networking

Propozimet e opozitës, deputeti socialist: Nuk janë gjë tjetër veçse një perçe mbi gjithë procesin e vettingut (VIDEO)

Deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti, ka komentuar propozimin e opozitës për vettingun në politikë.

Në një intervistë për "TemA Tv", deputeti socialist thekson se nisma e opozitës që i është prezantuar kryesisë së Kuvendit dhe grupeve parlamentare për ndryshimet në Kushtetutë, në thelb ka të bëjnë me atë që është parashtruar, amendamente kushtetuese për vetingun në politikë, vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

 Sipas socialistit, në thelb projekti i paraqitur nga opozita nuk qendron, si për arsye teknike ligjore dhe për argumentin politik.

"Grupi parlamentar socialist, kryeministri Rama kanë qenë të qartë që kjo nismë e deputetëve të opozitës nuk përbën gjë tjetër vetëm një perçe ose një pëlhurë mbi gjithë procesin e vetingut, për gjithë strukturat e organeve të drejtësisë që është vënë në zbatim dhe ka dhënë frutet e veta. Ky popozim, këto amendamente të opozitës nuk janë gjë tjetër veçse një shtojcë e zbehtë e ligjit të kaluar tashmë mbi dekriminalizimin", tha Shameti.

Sipas tij, qëllimi i PS ka qenë që të lënë "organet e vettingut të bëjnë atë punë të nisur dhe jemi në konkludimin përfundimtar të konstituimit të trupës së KLGJ dhe KLP që do të konstituojë ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit që do të zhvillojë hetimin e plotë të të gjithë politikanëve".

Duke folur për Teatrin Kombëtar, Shameti deklaroi se grupi parlamentar i PS vlerëson të gjitha sugjerimet e KE dhe në kohën e duhur do të reflektojë në veprimtarinë e punës së vet, qoftë në Komisionin e Ligjeve, qoftë në sallën e Kuvendit.

Lajm i mirë tha Shameti është se Tirana dhe Shqipëria do të kenë një teatër me të gjitha standardet që kërkon BE.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top