MC Networking

Zgjedhjet në Suedi/ Populistët rriten, por nuk arrijnë të fitojnë (VIDEO)

Ashtu siç parashikonin sondazhet, partia e ekstremit të djathtë, Demokratët Suedezë, është rritur në krahasim me zgjedhjet e fundit. Megjithatë, nuk ia ka dalë t’i fitojë zgjedhjet.

Votimi i la të ndara si më parë dy blloqet e mëdha të politikës, ndërsa populistët arritën të merrnin 17.7% të votave, duke u renditur parti e dytë.

Socialdemokratët, Të Blertët dhe Partia e Majtë fituan rreth 40.6 të votave, ndërsa Të Moderuarit, kristiandemokratët dhe Partia e Qendrës morën 40.1%.

Socialdemokratët, partia më e madhe që drejton koalicionin qeverisës, renditen sërish të parët, por kanë humbur 13 vende në Parlament në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014.

Së bashku me aleatët më të vegjël, socialdemokratët do të përpiqen të formojnë një koalicion të ri. Të njëjtën rrugë do të ndjekë edhe blloku rival. Të dy palët e kanë përjashtuar mundësinë e futjes në koalicion me populistët Demokratët Suedezë.

Kryeministri Stefan Löfven, i cili drejton Partinë Socialdemokrate, tha të dielën në mbrëmje se këto zgjedhje treguan “fundin e politikës së blloqeve”.

Partia antiemigracion fiton terren

Demokratët Suedezë, një parti e së djathtës ekstreme, që kundështon politikat e BE-së dhe emigracionin në Suedi, morën 17.7 % të votave, një rritje e madhe krahasuar me 12.9%-shin e zgjedhjeve të kaluara.

Lideri i parties, Jimmie Åkesson, tha se është i gatshëm të negociojë dhe të bashkëpunojë me të gjitha partitë e tjera pasi rezultatet e zgjedhjeve treguan se Demokratët Suedezë kanë përparuar.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top