MC Networking

Studimi: Truri i femrave është më aktiv se ai i meshkujve

Truri i femrave është më aktiv se ai i meshkujve dhe këtë e mbështet edhe shkenca. Përfundimi doli pas analizimit të 46 034 imazheve cerebrale të marra përmes skanerit CT me fotone, një teknikë që bën të mundur matjen e fluksit të gjakut në brendësi të trurit, duke identifikuar zonat me aktivitet të lartë neurologjik.

“Diferencat që zbuluam janë të rëndësishme për të kuptuar rrezikun që bazohet te gjinia për sëmundje cerebrale si Alzajmeri”, thotë psikiatri Daniel G. Amen, i “Amen Clinics” në Newport, Kaliforni, ku u krye studimi.

Imazhet janë marrë nga 128 zona të trurit, ndërsa personat e përfshirë në studim ishin 119 vullnetarë të shëndetshëm dhe 26 683 pacientë me patologji psikiatrike të ndryshme, që nga trauma cerebrale, çrregullimet bipolare apo të humorit, skizofrenia etj.

Studimi zbuloi se truri femëror është në mënyrë të veçantë aktiv në korteksin parafrontal dhe në sistemin limbik, çka mund të shpjegojë motivin për të cilin gratë tregojnë më shumë empati, intuitë dhe vetëkontroll (korteksi parafrontal lidhet me kontrollin e impulseve), por edhe prirje më të madh për ankth, depresion, pagjumësi dhe shqetësime që kanë të bëjnë me ushqimin.

Përkundrazi, aktiviteti cerebral mashkullor rezultoi më i madh në zonat që lidhen me shikimin dhe koordinimin.

“Kompensimi i këtyre diferencave është thelbësor, sepse çrregullimet cerebrale ndikojnë në mënyra të ndryshme te të dy gjinitë”, theksojnë studiuesit në konkluzionet e botuara në “Journal of Alzheimer’s Disease”.

Nëse meshkujt kanë më shumë gjasa të vuajnë nga probleme të sjelljes dhe të përfundojnë në burg, femrat janë më të rrezikuara nga sëmundje si Alzajmeri dhe depresioni. /Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top