MC Networking

Samiti i NATO-s /Trump u kërkon aleatëve që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 4% të PBB-së

Presidenti amerikan, Donald Trump, i sugjeroi sot anëtarëve të NATO-s që të rrisin shpenzimet ushtarake me 4% të PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto), pra dyfishi i objektivit prej 2% që kanë deri në vitin 2024.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Donald Trump e bëri propozimin gjatë samitit të liderëve të NATO-s në Bruksel.

Trump sugjeroi se “vendet duhet të respektojnë jo vetëm angazhimin e tyre për t’i dedikuar 2% të PBB-së së tyre shpenzimeve për mbrojtjen, por duhet ta rrisin atë në 4%”.

Këtë deklaratë ai e bëri gjatë fjalimit që mbajti në ditën e parë të samitit të Aleancës së Atlantikut në Bruksel, njoftoi Sarah Sanders, zëdhënëse e ekzekutivit amerikan.

Donald Trump e nisi me një ofensivë kundër Gjermanisë fjalën e tij të hapjes në Samitin e NATO-s, duke e akuzuar Berlinin se ishte "rob i rusëve", për shkak të varësisë së vendit nga energjia e gazit, shkruan BBC.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se fokusi kryesor duhet të jetë në të gjithë anëtarët që arrijnë objektivin aktual prej 2% të PBB-së. Jens Stoltenberg nuk pranoi të përgjigjet në një pyetje specifike në lidhje me vërejtjet e z. Trump, por u tha gazetarëve: "Mendoj se duhet së pari të arrijmë në 2%, të përqëndrohemi në atë tani, gjëja më e mirë është që ne po shkojmë drejt kësaj."

Për dekada pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, tha ai, vendet e NATO-s kishin shkurtuar buxhetet e mbrojtjes, ndërsa tensionet ranë dhe tani duhej të rriteshin në një kohë kur tensionet po rriteshin.

Takimi i Brukselit vjen një javë para se Trump të takohet me homologun e tij rus Vladimir Putinin, në Helsinki, duke ringjallur shqetësimet midis aleatëve amerikanë për afërsinë e tij me presidentin rus.

Presidenti Trump tronditi aleatët me deklaratën e tij pak para nisjes për në Bruksel, ku tha se samiti i NATO-s mund të jetë më i vështirë se bisedimet e Putinit.

    • Comments

    0 Comments:

    Scroll to Top