MC Networking

Qeveria "Rama" jep me koncesion edhe aeroportin e Kukësit (VIDEO)

Qeveria ka vendosur që të japë këtë të mërkurë me koncension aeroportin e Kukësit.

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot (11 korrik) edhe bonusin 8% në procedurën e përzgjedhjes për konsorciumin e krijuar nga shoqëritë “Kastrati sh.a” dhe “T.M.D Systems LTD” për dhënien me koncesion/PPP të aeroportit të Kukësit.

Ndërtimet e aeroportit përfunduan në vitin 2006, por nuk është vënë asnjëherë në funksion. Kryeministri Rama paralajmëroi para disa muajsh se aeroporti i Kukësit do të jetë operativ në vjeshtë.

Vendimi është firmosur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, edhe pse gjysma e qeverisë ka ikur drejt Samitit të Londrës dhe në Bruksel ku po mbahet Samiti i NATO-s.

Kujtojmë këtu se aeroportin e Kukësit, kompania Kastrati sh.a dhe T.M.D Systems LTD e kanë kërkuar me dëshirën e tyre, pa patur një tender.

VENDIMI:

VKM

PËR

MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET BASHKIMIT TË SHOQËRIVE, PËR DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT PËR REHABILITIMIN, OPERIMIN, TRANSFERIMIN E AEROPORTIT TË KUKËSIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe në vijim të nenit 15 të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat, miratuar me vendimin nr.575, datë 10.7.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, e të vendimit nr.504, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e bonusit prej 8% (tetë për qind) të pikëve, që i jepet bashkimit të shoqërive “Kastrati”, sh.a. & “T.M.D Systems LTD”, për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën për dhënien me koncesion/partneritet publik privat për projektin e rehabilitimit, të operimit, transferimit të Aeroportit të Kukësit.

2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top