MC Networking

Artistët: Kemi mbështetjen e OSBE-së, do ta çojmë çështjen në Strasburg (VIDEO)

Përfaqësues të Komunitetit Europian dhe të OSBE-së në Shqipëri kanë pritur në një takim pranë zyrave të tyre një përfaqësi artistësh të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, për të dorëzuar një kërkesë me shkrim në lidhje me antikushtetueshmërinë e ligjit për shembjen e Teatrit që Parlamenti shqiptar miratoi në mesnatën e datës 5 korrik 2018.

Erebara bën me dije se së shpejti ata kanë përcaktuar edhe një takim mes përfaqësuesve të Aleancës për Teatrin dhe përfaqësuesve të BE-së në Tiranë, ndërsa thekson se ligji për teatrin shkel një sërë ligjesh, mes tyre, edhe ato të Asocim-Stabilizimit.

“Patëm një takim në prezencën e OSBE, ku na priti zv.ambasadori me të cilin patëm një bashkëbisedim të gjatë, ku shprehëm të gjitha shqetësimet tona në lidhje me ligjin dhe dorëzuam po të njëjtin objeksion. Prezenca e OSBE-së po e monitoron prej kohësh lëvizjen tonë dhe morëm mbështetje të plotë për qëndrimin tonë qytetar”, tha Erebara. 

Artistët shprehen se ata kanë marrë mbështetje të plotë nga OSBE-ja dhe bënë me dije se kanë marrë premtime, që çështja për mbrojtjen e teatrit do të shkojë deri në Strasburg.

“Ligji për teatrin është një ligj antikushtetues. Ka kaluar vetëm për faktin se nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, e cila do ta rrëzonte. Ne po përpiqemi në të gjitha frontet ta rrëzojmë këtë ligj. Unë besoj se presidenti nuk do ta kalojë ligjin, por kjo është vetëm një fitore e shkurtër teknike. Por ne do ta vazhdojmë pasi do ta ankimojmë çështjen në Gjykatën Administrative dhe gjykatat e tjera dhe kemi marrë premtime ose na kanë dhënë fjalën se do ta çojmë këtë çështje deri në Strasburg”, u shpreh më tej Erebara. 

Erebara vëren se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që Teatri Kombëtar të shembet dhe veprimi më i afërt në këtë drejtim është protesta drejt Kryeministrisë dhe Presidencës.

“Qëndrimi ynë qytetar nesër do të shprehet në mënyrë edhe më të fuqishme, sepse në orën 6:30 do të nisemi nga teatri drejt Kryeministrisë dhe Presidencës, ku do t’i dorëzojmë presidentit objeksionet dhe kundërshtinë tonë ndaj ligjit për shembjen e teatrit”, u shpreh ai.   

Ai përfundon se Aleanca dhe artistët kanë menduar edhe për krijimin e një fondi, në mënyrë që Teatri Kombëtar të restaurohet dhe të rikthehet në normalitet.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top