MC Networking

Rama në Euronews: Hapja e negociatave, ndarje përfundimtare me të shkuarën

Hapi i parë në të ardhmen dhe ndarja me të shkuarën e cilëson kryeministri Rama nisjen e procesit të negociatave me BE-në. Në një intervistë për Euronews, Rama shprehet se për Shqipërinë ky është procesi më i rëndësishëm.

“Nuk kemi nevojë për një datë për t’u dhënë zemër njerëzve. Ne kemi nevojë të hapim negociatat në qershor. Nuk na duhet gjë tjetër. Për Europën, hapja e negociatave nuk kushton asgjë, por për ne është çështje jete a vdekjeje, në sensin që ai moment do të thotë që më në fund jemi në të ardhmen dhe kemi lënë pas të shkuarën”, shprehet ai.

Rama shprehet në intervistë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave. Ndërsa në lidhje me krimin e organizuar si një nga kushtet kryesore, Rama është shprehur se “Nëse ka krim të organizuar në Europë, ai është i lidhur dhe ne duhet ta luftojmë të gjithë së bashku”.

Në lidhje me marrëdhëniet me mediat, Rama sqaroi etiketimin “kazan”. “Kur them kazan, kam parasysh “lajme të rreme”. Nuk kam fyer kurrë personalisht një gazetar direkt. Sigurisht, unë shpreh mendimin tim në lidhje me mediat kazan dhe të tilla ka edhe në botë. Por nëse ato kanë të drejtë të shprehin mendimin e vet, edhe unë kam të drejtë të shpreh timin”. 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top