MC Networking

Rama: Akuzat e opozitës për Xhafajn, maskaradë destabilizuese (VIDEO)

I sapokthyer nga Franca, kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar të Partisë Socialiste, në kulmin e akuzave të opozitës ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.  

Rama i cilësoi akuzat e opozitës baltë që hidhet ndaj vendit para syve të ndërkombëtarëve, në një kohë kur Shqipëria pret hapjen e negociatave me BE-në. sipas Ramës, pas akuzave fshihet frika që opozita ka nga sistemi i ri i drejtësisë që po ndërtohet.

“Ata janë vërsulur ta asgjësojnë shpresën europiane të shqiptarëve. Vulëhumbur pa atdhe, të çoroditur nga rimëkëmbja e drejtësisë, ata janë vërsulur me tërbim. Jo vetëm që i gënjen mendja se duke hedhur në erë negociatat do t’i kthejnë njerëzit kundër nesh. Edhe balta e tyre e bën punën e saj në mjegullën e mungesës së drejtësisë. Ne e rilindëm Policinë e Shtetit dhe hapëm betejën e pazhvilluar më parë që nga semafori e deri te lufta me krimin e rrugës, duke e përgjysmuar numrin e vrasjeve në vit. Por qenkemi ne që e kriminalizuam Shqipërinë?”, tha ai.

Rama tha se akuzat e opozitës drejtuar Xhafajt janë maskaradë destabilizuese.

“Sot na del që drejtuesi i reformës në drejtësi na paska fshehur prej 6 vjetësh dënimin me burg të vëllait në Itali për një vepër të kryer më shumë se 15 vjet më parë. Kjo është një maskaradë destabilizuese, e vënë në skenë për t’i thënë Europës se ky është një vend në të cilin vetë Ministria e Brendshme orkestron trafikun e drogës”, tha ai.

Kreu i qeverisë tha se nuk ka ndërmend të mbrojë askënd që përballet me akuzat e drejtësisë së cilitdo vend.

“Jam përballur kohët e fundit me mesazhe të tipit “Saliu nuk ka lëshuar vrasës e kriminelë”, “Mos e lësho Fatmirin siç lëshove Saimirin”. U them se mendoj shumë më ndryshe nga ata. Ne kemi një ndryshim: marrim përgjegjësi dhe mbajmë përgjegjësi për veten. Kurrë nuk kam qenë i gatshëm të mbroj dikë të përballet nga akuzat e drejtësisë. Unë nuk di të tallem me nderin që më kanë bërë ata që më kanë zgjedhur, duke më dhënë mundësinë e rrallë fare për të udhëhequr vendin tim për një periudhë kohe. Ne nuk kemi njerëz për të lëshuar në dhëmbët e ujqërve, por nuk u kërcasim dhëmbët organeve të drejtësisë. Akuzat nuk kanë asnjë vlerë, po as mund të lihen pasdore. Në majën e thikës së tyre qëndron një fakt konkret, për të cilin dikush duhet të përgjigjet”, tha ai.

Rama tha se ministri i Brendshëm nuk ka detyrimin të përgjigjet as ligjërisht dhe as moralisht për vëllain.  

Sa u përket akuzave të opozitës, sipas të cilës në cilësinë e kreut të Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, ka krijuar hapësirat ligjore që favorizojnë të vëllain, Rama tha ato nuk qëndrojnë pasi në lidhje me reformën është shprehur vetë Komisioni Europian, që ka vlerësuar ligjin.

Ndërsa në lidhje me audiopërgjimin e publikuar dy ditë më parë nga PD-ja, Rama tha se ka provat që ajo është një manipulim që ka për qëllim baltosjen e ministrit.

“Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e një analize të kryer në një nga laboratorët më seriozë të botës. Mua ajo më mjafton për t’u thënë juve se nuk jemi para një prove kompromentuese për ministrin e Brendshëm, por para një materiali jo autentik që synon destabilizimin e qeverisjes dhe shkatërrimin e segmentit të fundit të çeljes së negociatave”, tha ai.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top