MC Networking

Fushata/ Spiropali: Si do t’i zgjedhim kryebashkiakët (VIDEO)

Socialistët kanë nisur një fushatë që e quajnë llogaridhënie me qytetarët, ku do të përfshihen edhe kryetarët e bashkive. Kryetarja e platformës së qeverisjes me qytetarët, Elisa Spiropali në një intervistë për "TemA Tv" u shpreh se kryebashkiakët do t’i nënshtrohen një analize të thellë.

Të gjithë kryebashkiakët aktual do ti nënshtrohen një analize në fushatën e llogaridhënies që paralajmëroi kryeministri Edi Rama të shtunën e kaluar në Asamblenë e PS-së. Koordinatorja e Platformës së Bashkëqeverisjes me qytetarët Elisa Spiropali në një intervistë për TemA TV u shpreh se në garën e ardhshme do të zgjidhen më të mirët.

"Pa diskutim edhe puna e kryetarëve tanë të Bashkive do të hyjë në një filtër analize dhe vlerësimi nga grupi i punës që është ngritur dhe nga takimet e hapura në mënyrë që ne të kemi mundësi të zgjedhim më të mirët mes përfaqësuesve tanë", deklaroi Spiropali.   

Por Spiropali e mohoi që fushata e llogaridhënies të jetë një parafushatë për zgjedhjet lokale.

"Ne nuk po nisim tani një fushatë të parakohshme por po nisim një proces konsultimi, llogaridhënie në bashkëqeverisje në mbi 381 njësi administrative në 12 qarqe për çdo sektorë", theksoi ajo.

Spiropali ndërkohë bëri me dije se cilat janë institucionet që kanë më shumë ankesa nga qytetarët. A do të shkarkohet Gjonaj dhe Gjiknuri në shtator pas asaj që tha se kryeministri Rama se ministrat që nuk janë në nivelin e duhur mund të shkarkohen.

"Sigurisht zyrat e ZRPP, pra Hipotekat, Aluizni, OSHE kanë ende probleme të cilat shkaktohen nga një kulturë pune e cila e ka parë  qytetarin si të fundit në listë. Procesi i llogaridhënies dhe i bashkëqeverisjes është një proces tërësor analize në të gjithë sektorët. Sigurisht i takon kryeministrit dhe qeverisë të shikojë sektorët e tjerë ku mund apo të ketë ndryshime", tha deputetja socialiste.   

Nga ana tjetër Spiropali tha se Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka bërë disa shkarkime pas denoncimeve që janë bërë në platformën e bashkëqeverisjes.

Intervista e plotë e Kryetares së Platformës së Bashkëqeverisjes me Qytetarët Elisa Spiropali.

 

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top