MC Networking

Reforma e Ujit, UKT: Si do të subvencionohen shtresat në nevojë

Eliminimi i lidhjeve të paligjshme është një nga objektivat kryesorë të reformës së ujit të nisur në janar 2016. Në zbatim të këtij aksioni, që nga 1 shkurti i këtij viti, lidhjet e paligjshme të ujit kanë shkaktuar jo pak dënime dhe janë konsideruar vepra penale.

Reforma në sektorin e ujësjellës kanalizimeve e rilançuar nga qeveria në tetor 2017 konsiston në eliminimin e lidhjeve të paligjshme që vlerësohen të jenë në rreth 20% të abonentëve, në zbatimin e ligjshmërisë për kundërvajtësit dhe abuzuesit, në pajisjen 100% të konsumatorëve me matës uji, si dhe me rritjen e normës së arkëtimit, përfshirë dhe debitë e trashëguara deri më 1 shkurt 2018.

Reforma parashikon gjithashtu që të subvencionohen shtresat në nevojë, si dhe disa kategori të tjera të veçanta si invalidët e ndryshëm etj., të cilëve do t’u instalohet falas ujëmatësi, si dhe do të furnizohen me ujë falas për një sasi prej 20 litra/ditë/banor. Të pyetur nga TemA TV, specialistë të Ujësjellës Kanalizimeve nuk kanë pranuar të prononcohen në lidhje me reformën e ujit, ndërsa zyra e shtypit e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë iu është përgjigjur pyetjeve duke iu shmangur dhënies së një informacioni të saktë dhe specifik me shifra.

Në lidhje me cilësinë e ujit që qarkullon në sistemin shpërndarës, ata sigurojnë që është brenda të gjitha standarteve. Sipas tyre, këtë e konfirmojën analizat me kampione të marra në 16 pika të ndryshme të Tiranës. Ata thonë se cilësia e ujit të pijshëm me të cilin UKT furnizon qytetin është objekt i vazhdueshëm kontrolli si nga Drejtoria e Higjenës dhe Inspektoriati Sanitar Shtetëror në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të pastrojnë herë pas here depozitat personale të ujit.

-Si po funksionon procesi i pajisjes së konsumatorëve me libreza të reja? Një pjesë e konsumatorëve ankohen për zvarritje të procesit. Në rastet kur janë debitorë dhe kanë pagesa të pashlyera nga vitet e mëparshme ata nuk marrin dot librezat e reja. A nuk mund të zgjidhet dicka e tillë më thjesht dhe njerëzit të informohen për këto borxhe të vjetra përmes faturave mujore? 

Pajisja me librezë e një konsumatori ndodh në momentin e parë që lidhet kontrata me UKT, dhe më pas lëshohen dublikatë në rastet kur ajo librezë humbet apo mbushet e gjitha. Konsumatorët debitorë ndaj UKT mund të pajisen me një dublikat të librezës në momentin që lidhin një aktmarrëveshje përmes të cilës përfitojnë skemën lehtësuese të shlyerjes së debisë, ndërkohë që të gjithë konsumatorët e rregullt mjafton të kenë një ID me vete dhe librezën e vjetër. UKT njofton çdo muaj konsumatorët e saj mbi faturën e ujit si dhe për debinë e mbetur, ndërkohë që përmes portalit online.ukt.al çdo konsumator mund të kontrollojë në çdo kohë faturat mujore dhe gjendjen e debisë së tyre. Ne i ftojmë të gjithë konsumatorët që janë debitorë të përfitojnë nga skemat lehtësuese që UKT ka vënë në dispozicion për ta përmes aktmarrëveshjes.

-Disa kohë më parë u fol publikisht për të ashtuquajturën reformë e ujit. Si po vijon kjo reformë dhe çfarë parashikohet të ndërmerret në këtë kuadër përveç prerjeve të lidhjeve të paligjshme të ujit apo përmirësimit të cilësisë së ujit?

Faza e aksionit të reformës së ujit ka nisur që në datën 1 shkurt me verifikimin e hollësishëm të të gjitha bizneseve dhe në datën 1 mars ka vijuar edhe me verifikimin e konsumatorëve familjarë. Verifikimi kryhet derë më derë nga grupet tona dhe konsiston që nga kontrolli i pikës së lidhjes me qëllimin për të identifikuar që lidhja e furnizimit me ujë është e ligjshme, duke kontrolluar në kohë reale kontratën me ujësjellësin, nëse konsumatori është pagues i rregullt i faturës mujore si dhe me verifikimin e gjendjes së ujëmatësit, i cili duhet të jetë brenda kushteve teknike dhe me vulën  e paprekur. Reforma po vijon me ritme të mira, deri tani kemi kryer me mijëra verifikime dhe disa nga rastet kanë përfunduar edhe me shoqërimin e pronarit të kontratës nga Policia e Shtetit, përgjithësisht këto kanë qenë raste në të cilat është evidentuar një lidhje e paligjshme apo ndërhyrje në ujëmatës. Reforma do të vijojë deri në verifikimin e çdo subjekti privat si dhe çdo konsumatori familjar, një aspekt pozitiv i të gjithë kësaj reforme përveç formalizimit të të gjitha lidhjeve me rrjetin e ujësjellësit është edhe pasurimi i databazës sonë me informacion të saktë për çdo kontratë me UKT.

-Vetëm para pak kohësh keni përuruar dhomën e serverave dhe softuerin e ri të UKT. Si funksionon ky sistem i ri i faturimit?

Nuk bëhet fjalë për sistem të ri faturimi, por për ngritjen e infrastrukturës bazë për zhvillimin e UKT-së në standartet europiane. Programi i ri softuare është i liçensuar nga microsoft, ka siguri të lartë të ruajtjes së të dhënave, ofron flexibilitet në përdorimin e databazës si dhe për zgjerimin e të dhënave, lidhet drejtëpërdrejtë edhe me programet e financës në këtë mënyrë krijon lehtësi në përdorim dhe menaxhimin e të dhënave.

-Pse erdhi në këtë kohë?

Ishte domosdoshmëri duke qënë se programi i vjetër ishte i paliçensuar, i pasigurtë, aspak fleksibël për përdorimin e të dhënave.

-Sa është numri i ankesave nga banorët për mbifaturim apo lidhje të paligjshme me rrjetin? Si do të kontribuojë në zgjidhjen e këtij problemi softueri i ri?

Kujdesi ndaj Klientit është në frontline për menaxhimin e të gjitha ankesave që vijnë nga konsumatorët tanë, më duhet të them që mbifaturimi nuk është një shqetësim që haset shpesh, nuk bëhet fjalë për numër rastesh për sa kohë që problematika lidhet vetëm me ndonje gabim njerëzor të izoluar, ndërsa për lidhjet e paligjshme e gjithë reforma e ujit ka për qëllim eliminimin e përhershëm të saj. Ne jemi të fokusuar jo vetëm në verifikimin derë me derë të konsumatorëve por edhe në pastrimin e linjave kryesore nga lidhjet e paligjshme, proçes që e kemi ndërmarrë që në verën e vitit të kaluar. 

-Sa është numri i përdoruesve të ujit pa sahat dhe pa kontratë të rregullt me ujësjellësin? Sa prej tyre janë familjarë dhe sa biznese?

Qëllimi i Reformës dhe i vetë UKT-së është eliminimi i faturimit për frymë apo me mesatare, ky faturim nuk është i drejtë as për vetë konsumatorin. Përjashtim nga pajisja me ujëmatës bëjnë vetëm disa pallate të ndërtuar para viteve ’90, të cilat kanë kolonë të brendshme furnizimi, paisja me ujëmatës për konsumatorët banues në to kërkon investime të mëdha brenda banesës së tyre. Kodi i Ujit specifikon që konsumatori bën gati vendin ku vendoset ujëmatësi, në këtë kuadër  zgjidhja e aplikuar është vendosja e matësave të bilancit në pikën e lidhjes së ujit, por faturimi i tyre vazhdon me mesatare. Gjithsesi bëhet fjalë për një pjesë të vogël pallatesh, ndërkohë që për gjithë pjesën tjetër të konsumatorëve pajisja me ujëmatës është detyrim ligjor nga e cila nuk duhet të shmangen. Ndërkohë që përdoruesit e ujit të rrjetit tonë pa kontratë të rregullt automatikisht quhen abuzues dhe rastet e evidentuara denoncohen në polici.

 -Si do të monitorohen depot kryesore dhe impiantet e ujit përmes këtij softueri?

Dhoma e serverave dhe softueri i ri janë bazat e një infrastrukture madhore, që do të shërbejë për mirë-menaxhimin e burimeve tona ujore. Në të ardhmen kemi qëllim implementimin e matësve smart të bilancit, të dhënat e të cilave do të lidhen me dhomën e serverave dhe softuerin, pra investimi i kryer deri tani është ngritja e infrastrukturës ku do të mbështeten të gjitha risitë teknologjike që do të implementohen në të ardhmen.

-Sa është investimi i kryer për këtë softuer?

Investimi për këtë softare dhe është kryer edhe me mbështetjen e USAID, detaje të mëtejshme në lidhje me të gjithë praktikën e realizimit të kësaj procedure të hapur prokurimi gjeni pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike.

-Ju keni folur për investime të tjera të reja në rrjetin e ujësjellësit? Për çfarë investimesh bëhet fjalë konkretisht?

Investimet e reja që UKT ka qëllim të kryejë lidhen drejtpërdrejtë me shfrytëzimin e kapaciteteve ujore ekzistuese si dhe atyre të reja, me ndërtimin e linjave të furnizimit që do të jenë të dedikuara për zona problematike si ajo e Yzberishtit etj.

-Premtimi juaj është se pas 5 viteve do të siguroni ujë të pijshëm për 24 orë për qytetarët e Tiranës. Ç’mund të thoni për gjendjen e ujit në këto momente?

Tirana me ujë 24 orë është një sfidë e madhe për të cilën po punojmë fort çdo ditë. Shfrytëzimi i burimeve të reja ujore, rritja e kapaciteteve të burimeve aktuale siç është plani për rritjen me 30% të kapacitetit të impiantit të Bovillës, ndërtimi i linjave të reja të furnizimit, formalizimi i të gjitha lidhjeve me ujësjellësin dhe eliminimi i lidhjeve të paligjshme janë të gjitha hallka të një zinxhiri të rëndësishëm përmes të cilit mendojmë të realizojmë këtë objektiv. Aktualisht Tirana furnizohet me nje regjim të caktuar në varësi të zonës dhe burimit nga i cili furnizohet, me një mesatare prej 14 orë në ditë.

-Vetë qytetarët kanë ankesa përsa i përket furnizimit me ujë. Sasia e ujit nuk arrin të plotësojë nevojat e tyre dhe edhe cilësia e ujit nuk është e tillë që mund të quhet ujë i pijshëm…Uji në shumicën e rasteve mund të përdoret maksimumi vetëm për larje, por jo për t’u pirë. Si do t’u përgjigjeshit këtyre ankesave?

Ankesat sidomos në këtë periudhë të vitit janë sporadike dhe raste të izoluara, që lidhen me linjën personale të furnizimit. Sigurisht që furnizimi pa ndërprerje është ajo për të cilën konsumatorët kanë nevojë, pikërisht për këtë, përmës investimeve që kemi në plan të kryejmë ne planifikojmë që të përmirësojmë ndjeshëm cilësinë e furnizimit. Ndërsa përsa i përket cilësisë së ujit që qarkullon në sistemin tonë shpërndarës, sigurojmë që është brenda të gjitha standarteve. Përveç analizave të ujit në burime, në laboratorët tanë kryhen analiza të përditshme të kampioneve të ujit që qarkullon në rrjet, marrë në 16 pika të ndryshme. Gjithashtu cilësia e ujit të pijshëm me të cilin UKT furnizon qytetin është objekt i vazhdueshëm kontrolli si nga Drejtoria e Higjenës dhe Inspektoriati Sanitar Shtetëror në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo ndaj të cilës ne tërheqim vëmendjen e konsumatorëve është mirëmbajtja e depozitave personale të ujit. Ato duhet të pastrohen dhe higjenizohen periodikisht nga vetë ata, në mënyrë që të sigurojnë ujë sa më cilësor.

-Një problem tjetër janë kanalizimet në qytetin e Tiranës. Në rastet e shirave të zgjatur dhe të rrëmbyeshëm, shpesh uji del mbi rrugë dhe ka zona që gati përmbyten.  Si mendoni ta zgjidhni këtë situatë me sistemin e kanalizimeve, kolektorët dhe sistemin e kullimit në zonën e Tiranës?

Ujërat sipërfaqësor apo ndryshe të quajtura ujrat e bardha nuk mblidhen në rrjetin tonë të kanalizimeve, por në zgarat e shiut të cilat administrohen nga një tjetër drejtori në varësi të Bashkisë Tiranë. Për sa i përket kolektorëve dhe rrjetit të ujrave të ndotura të qytetit, mund të them që UKT kujdeset në mënyrë periodike për të gjithë rrjetin duke mirëmbajtur si kolektorët e mëdhenj ashtu edhe çdo pusetë në të cilat shkarkohen ujrat e ndotura. Përmes numrit tonë të gjelbër 08004488 jemi në kontakt me banorët e Tiranës për t’iu përgjigjur çdo rasti që mund të shfaqet.

 

 

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top