MC Networking

Zgjedhja e kryeprokurorit të ri/ PD i përgjigjet ftesës së Ramës me një letër drejtuar Kuvendit

Partia Demokratike ka zgjedhur t’i përgjigjet tërthorazi ftesës së kryeministrit Rama për pakt në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Me anë të një letre që i ka nisur kryetarit të Kuvendit, Partia Demokratike e cilëson si antikushtetuese procedurën e nisur nga organi ligjvënës.

Sipas argumentimit të demokratëve, në bazë të Kushtetutës, mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk konstatohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, një organ që nuk është ngritur ende.

“PD vlerëson se deri në ngritjen e KLP-së dhe plotësimit të boshllëkut kushtetues dhe ligjor është e pamundur që Kuvendi të marrë kompetencën e një institucioni të pavarur  të drejtësisë”, thuhet në letër.

PD shprehet se ajo nuk ka qëndrim përfundimtar për çështjen e kohëzgjatjes së mandatit nga 5 në 7 vjet të Prokurorit të Përgjithshëm, një përgjigje që sipas saj mund ta japë vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

PD sjell rastin e Inspektorit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, të cilit me anë të ligjit të ri, mandati iu zgjat me 2 vjet dhe thekson se nuk duhen bërë interpretime të ndryshme të një situate të njëjtë në varësi të qëllimit të mazhorancës.

Selia blu hedh poshtë edhe idenë e një kryeprokurori të përkohshëm, duke e argumentuar qëndrimin e saj me nenin 109 të Kushtetuës, sipas të cilës Prokurori i Përkohshëm zgjidhet vetëm kur prokurorit në detyrë i ndërpritet mandati para kohe, një rrethanë që aktualisht nuk ekziston.

Për PD-në, “çdo veprim i kundërt nga mazhoranca do të ishte provë e qartë e vullnetit të saj të hershëm për kapjen politike të organeve të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorinë”.

 

 

 

 

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top