MC Networking

Hidhet shorti për anëtarët e KED-së, debate mes Hysit dhe Halimit

Në Kryesinë e Kuvendit hidhet sot shorti për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Mbledhja nisi me një debat mes nënkryetares socialiste të Kuvendit, Vasilika Hysi, dhe deputetit demokrat, Eduart Halimi.

Ky i fundit e cilësoi antikushtetues shortin që po hidhet sot, ndërsa shtoi se maxhoranca e bllokoi qëllimisht punën e KED-së së ngritur në fillim të vitit, mandati i të cilit përfundoi pa kryer asnjë funksion.

“Kërkuam të ngrihej KED, por ju kërkuat kohë për miratimin e ligjit në 2016. Presidenti Nishani priti të plotësoheshin kriteret ligjore, të gjithë ramë dakord me presidentin. Pas miratimit të kritereve u ngrit KED i përkohshëm. Si mundet kryetari i Kuvendit të kërkojë nga institucionet e pavarura të depozitojë listat me kandidatë. Veprimtaria e KED u bllokua qëllimisht nga maxhoranca në mënyrë që Këshilli të mos kryente procesin kushtetues të vlerësimit për kandidatët për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ku aktualisht janë 3 vende vakante”, tha ai.

Ndërsa deputetja socialiste, Vailika Hysi, theksoi se vendimi për hedhjen e shortit bazohet në thirrjen e presidentit Meta.

“Kemi një shkresë të presidentit ku thotë se i takon Kuvendit që të realizojë shortin. Kryetari i Kuvendit ka zbatuar thirrjen e presidentit Meta. Si do bëhet kontrolli i gjyqtarëve kur në listë janë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët? Së treti, ku po e pengojmë ne krijimin e KLP dhe KLGJ-së? Kush e bllokoi vetingun, kush e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese?”, tha Hysi.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top