MC Networking

Erdogan, vizitë historike në Greqi nën masa të rrepta sigurie

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, zhvillon sot një vizitë zyrtare në Greqi.

E cilësuar si historike, kjo është vizita e parë e një presidenti turk në Greqi në 65 vitet e fundit. Masa të forta sigurie do të shoqërojnë vizitën e presidentit turk.

Erdogan pritet të diskutojë një sërë çështjesh me palën greke, por duket i palëkundur në qëndrimet e tij.

Në një intervistë për “Kathimerinin” pak para vizitës, Erdogani e ka vënë theksin te Traktati i Lozanës, që rregullon marrëdhëniet greko-turke dhe konsiderohet si gur themeli i paqes në rajon. Sipas Erdoganit, ky traktat duhet të përditësohet në lidhje me marrëdhëniet e Greqisë me Turqinë.

Gjithashtu, në intervistë, Erdogan shprehet i pakënaqur në lidhje me atë që e quan dështim i Greqisë në përgjigjen ndaj kërkesës së tij për të ekstraduar tetë ushtarakë, të cilët akuzohen se kanë qenë pjesë e grushtit të shtetit në Turqi.

Ndërkohë, në Greqi, këtë vizitë e konsiderojnë si jashtëzakonisht të rëndësishme. Zëdhënësi i qeverisë së Greqisë, Dimitris Tzanakopoulos, është shprehur se Athina pret “diskutime të jashtëzakonshme konstruktive”.

Megjithatë, Tzanakopulos tha se qeveria greke është e “shqetësuar” për rishqyrtimin e kontestit territorial të demonstruar nëpërmjet thirrjes së Erdoganit për “përmirësime” në hapësirat ajrore dhe ujore në Detin Egje.

Greqia dhe Turqia kanë prej vitesh marrëdhënie të brishta ndërshtetërore. Që prej viteve ’70, ato kanë qenë tre herë në prag të luftës.

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top