MC Networking

Rama: PD të zbatojë rregulloren, bashkë me motrën tonë të përbashkët LSI. Basha: Ankthi i Ramës s’po na le të debatojmë

Kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediat pas ndërprerjes së seancës, deklaroi se opozita duhet të mësohet se Kuvendi funksionon në bazë të rregullores për të cilën jemi dakordësuar dhe e kemi miratuar bashkë. 

Rama ironizoi edhe LSI, duke e konsideruar motër të përbashkët të PS dhe PD.

"Jemi vërtet në pozitë të vështirë, nuk ja dalim dot që ta arrijmë momentin që opozita të bindet që parlamenti klub të dehurish siç ishte katër vjet nuk është. Ky parlament i dalë nhga zgjedhjet e 25 qershorit funksionon në bazë të rregullave të miratuara bashkarisht.Mbi bazën e këtyre rregullave do funksionojë do apo nuk do PD bashkë me motrën tonë të përbashkët LSI. Do apo nuk do kushdo qoftë që ca për fajin e vetë ca për fajin tonë u mësua si në mejhane të flasë si të dojë. Si i bëhet që opozita ta kuptojë këtë gjë, të mos kërkojë atë që nuk ka për ta realizuar dot, shkeljen e rregullores në emër të lirisë. Keqardhja më e thellë është se kur sheh se përdorin lirinë për tu ankuar për mungesën e saj në vend që ta përdorin për axhendën e tyre. E njëjta axhendë ishte para zgjedhjeve. Është rihapur çadra, është vënë pllaka e gramafonit të para zgjedhjeve që shqiptarët e thyen dhe e bënë copa e çika. Opozita kërkon debat dhe nuk bën debat", deklaroi Rama.

Ndërkohë edhe kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar pas rindërprerjes së seancës parlamentare nga ana e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit, pasi deputeti demokrat Flamur Noka (i përjashtuar më herët nga parlamenti për ditën e sotme) nuk pranonte të dilte nga salla.

Kreu i PD tha se kryeministri Edi Rama po përdor të gjitha metodat për të mos u përballur me të vërtetat dhe t’i bëjë bisht debatit.

“Nuk ka arsye Ruçi të shkelë rregulloren, përveç ankthit të Ramës për t’u përballur me të vërtetat. Kukullat e tij kanë zaptuar karriget e parlamentit,” tha Basha.

“ Ngjarjet kriminale që kanë mbuluar Shqipërinë, me Ramën e bandat që sot kontrollojnë vendin që janë jashtë kontrollit të policisë. Edi Rama i trembet këtij debati, por ne do vazhdojmë të kërkojmë debat për këtë çështje. Po e shohim se si shumica po duan të ikin nga vendi. Nuk ka dëshmi më të qartë se kjo, nuk ka arsye Ruçi të shkelë rregulloren, përveç ankthit të Ramës për t’u përballur me të vërtetat. Kukullat e tij kanë zaptuar karriget e parlamentit. Ne kërkojmë aleancën e çdo qytetari të ndershëm. Kemi dy javë që në këtë sallë nuk lejohet debat, tepsinë e ka përvete, timonin për vete, tani do që t’i mbyllë gojën parlamentit. Kjo nuk do ndodhë. Agjesimi i debatit do shkojë në krizën më të madhe të demokracisë në këto 25 vite,” tha Basha.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top