MC Networking

Nusja e djalit të ish-bosit të VEFA-s: Vehbiu na ka ngritur kurth. Duam të kthejmë 647 mijë $

Bashkëshortja e Artan Alimuçajt, djalit të ish-bosit të “VEFA”-s, që u arrestua disa ditë më parë për pastrim parash, ka denoncuar në Polici se i shoqi është kërcënuar në burgun e Fierit nga persona civilë që edhe e kanë dhunuar.

Juristja 37-vjeçare S. Alimuçaj, e cila për arsye sigurie nuk do të identifikohet, rrëfen makthin që ka kaluar që nga momenti i arrestimit të të shoqit dhe pasiguria që ka për jetën e tij, por edhe të djalit vetëm 11 vjeç.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ajo tregon se e gjithë kjo histori ndodh vetëm prej faktit që bashkëshorti i saj është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë, e t’i kthejë shtetit shumën prej 647 mijë dollarësh qe janë depozituar nga i ati në një bankë në Hungari.

Ajo ka dyshimet e saj që pas gjithë këtij skenari fshihet vjehrri i saj, Vebi Alimuçaj, i cili gjithmonë ka qenë kundra vendimit të të birit për të kthyer paratë. Edhe pse nuk është e sigurt plotësisht nëse është vërtet ai që po kërcënon të birin në burg apo jo, bashkëshortja e Artan Alimuçajt shprehet se nuk është aspak çudi që ai, duke u premtuar para personave të ndryshëm, të përdorë këtë formë presioni për të mos humbur paratë.

Ajo tregon se edhe dje, kur ishte seanca gjyqësore për pezullimin e ekzekutimit të vendimit, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, u përdorën të gjitha format që i shoqi të mos merrte pjesë.

Duke falsifikuar firmën e tij, persona të panjohur kanë dërguar një shkresë në Gjykatë, ku thuhej se ai refuzonte të merrte pjesë.

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top